Sport

Përforcimet e mëdha të Chelseat nuk janë garanci për sukses

Thyerja e rekordit nga Chelsea në minutën e fundit për të transferuar Enzo Fernandezin çoi shpenzimet e londinezëve në vitin e parë të pronësisë së re të klubit në një shifër marramendëse prej më shumë se 600 milionë eurosh.

Gjiganti i Premier Ligës shpenzoi 121 milionë euro për mesfushorin argjentinas, duke thyer rekordin e mëparshëm britanik të transferimit, të cilin e mbante Jack Grealish që u transferua për 115 milionë euro te Manchester City. Fernandez ishte nënshkrimi i tetë i Chelseat në afatin kalimtar të janarit, me shpenzimet e mbikëqyrura nga pronari Todd Boehly që shkaktoi tronditje në mbarë botën e futbollit. Më pak se një vit më parë kishte frikë se Chelsea mund të mbetej pa para për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj pronarit të atëhershëm Roman Abramovich pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Abramovich u përshkrua nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar si pjesë e rrethit të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin. Një licencë speciale i lejoi klubit të vazhdonte të funksiononte dhe pavarësisht një procesi të përshpejtuar të shitjes, Chelsea arriti të shitej për 2.5 miliardë funte - rekord për një klub futbolli. Konsorciumi i kryesuar nga Boehly dhe grupi i kapitalit privat “Clearlake Capital” premtoi një investim të mëtejshëm prej 1.75 miliardë funtesh në infrastrukturë dhe skuadër. Por askush nuk pa shpenzime në tregun e transferimeve që kanë fshirë rekordin e një sezoni për çdo klub në të gjithë globin. Mungesa e kthimit të menjëhershëm të investimit në fushë dhe vendimi i Boehlyt për të emëruar veten si drejtori i përkohshëm sportiv i klubit ka çuar në shpenzime marramendëse të miliarderit amerikan. Chelsea ndodhet në vendin e 10 në Premier League, 10 pikë larg katër vendeve të para që sigurojnë një biletë për Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm dhe tashmë është eliminuar nga dy kupat e Anglisë.

Ish-kapiteni i Manchester Unitedit, Gary Neville, e përshkroi qasjen e Boehlyt në tregun e transferimeve si të ngjashme me një tifoz që luan videolojën popullore “Football Manager”. Strategjia e Chelseat në rastin më të mirë duket e shkretë.

“Ai ka shpenzuar shumë, por të gjitha këto transferime nuk garantojnë suksesin e Chelseat. Pra, nuk ka asnjë garanci për ndonjë trofe. Boehly thjesht vetëm ka shpenzuar para”, tha Neville.

Në afatin kalimtar të verës, mbi 100 euro u shpërndanë për lojtarët me përvojë Raheem Sterling, Kalidou Koulibaly dhe Pierre-Emerick Aubameyang, të cilët të gjithë kanë luftuar për të bërë një ndikim pozitiv.

Në anën tjetër, më shumë se 100 milionë euro janë shpenzuar për të rinjtë premtues, të cilët ose janë huazuar në klube të tjera ose nuk kanë gjasa të shohin shumë minuta në ekipin e parë këtë sezon. Në fillim të janarit, një tarifë huazimi prej 10 milionë eurosh për të siguruar Joao Felix nga Atletico Madridi për pjesën tjetër të sezonit habiti të gjithë, duke pasur parasysh se sa pak ndeshje Chelsea duhet t’i luajë realisht në muajt e ardhshëm. Pastaj, me mbi 200 milionë euro janë investuar për nënshkrimin e dy prej talenteve më premtuese në botë: fituesin e Kupës së Botës, Enzo Fernandezin dhe ukrainasin Mykhailo Mudryk, të cilit blutë ia rrëmbyen Arsenalit. Në një tjetër shkëputje nga normat e pranuara të futbollit, Fernandez dhe Mudryk kanë nënshkruar kontrata tetëvjeçare e gjysmë. Marrëveshjet afatgjata shihen si një mënyrë rreth rregullave të lojës së ndershme financiare (FFP). Strategjia e Chelseat thuhet se ka shtyrë organin qeverisës evropian UEFA të ndërmarrë hapa për të mbyllur këtë boshllëk duke vendosur një kufi maksimal pesëvjeçar në shpërndarjen e kostos së tarifave të transferimit. Por klubi gjithashtu rrezikon të jetë i mbushur me lojtarë që nuk i duan në dekadën e ardhshme nëse ndonjë prej ardhjeve të tyre të reja rezulton të jetë i dështuar. Puna e trajnerit Graham Potter për të kthyer rezultatet mund të mos ndihmohet nga dështimi për të gjetur formacionin e duhur të një skuadre të fryrë. Marokeni Hakim Ziyech thuhet se ishte i zemëruar që huazimi tij te Paris Saint-Germaini dështoi pasi dokumentet nuk ishin përfunduar në kohë përpara afatit të së martës.

“Boehly premtoi ide të reja si dhe investime kur mori përgjegjësinë. Mbetet të shihet se sa do të ketë sukses Chelsea këtë sezon”, shtoi Neville.