Manchester Unitedi ka marrë një goditje të rëndë, pasi ka mbetur pa mesfushorin Christian Eriksen për një periudhë më të gjatë. Madje, BBC raporton të martën se Eriksen shkaku i lëndimit do të qëndrojë jashtë fushës të paktën për dy muaj.
Eriksen u dëmtua vikendin e shkuar në fitoren e Unitedit ndaj Readingut në Kupën FA dhe pas ekzaminimeve të bëra është konstatuar se ai ka pësuar lëndim të rëndë të nyjës së këmbës. Shkaku i këtij lëndimi, thuhet se Eriksen nuk do të jetë i gatshëm për lojë të paktën deri në fund të muajit prill.
Danezi para fillimit të këtij sezoni iu bashkua Unitedit si lojtar i lirë, ndërsa deri më tani ka shënuar dy gola dhe ka bërë nëntë asistime në të gjitha garat.