Sport

Pas kthimit të fuqishëm, Haller shpreson ta udhëheqë ringjalljen e Dortmundit

Sebastian Haller - Borussia Dortmund

Sulmuesi Sebastien Haller tashmë është përballur me sfidën më të madhe të këtij sezoni. Në të vërtetë më të madhen të çdo sezoni në karrierën e tij.Ringjallja e Borussia

Dortmundit duket e thjeshtë në krahasim me sfidën që e ka tejkaluar Haller. Një zhurmë e madhe u krijua për të përshëndetur Hallerin në debutimin e tij të shtyrë me fanellën e Dortmundit të dielën, duke i dhënë fund gjashtë muajve jashtë fushe.

Pas dy operacioneve për kancer në testikuj dhe seancave me kimioterapi, ai u kthye në fushë. Para ndeshjes, një fitoreje dramatike 4:3 ndaj Augsburgut në Bundesligë, Haller u kujtoi shokëve të skuadrës që ta mbanin futbollin në perspektivë.

“Trajneri i Dortmundit, Edin Terziq, më pyeti se si ndihem për të folur, dhe unë i thashë: ‘Sigurisht, nëse më jepni mundësinë do të flas, sepse për mendimin tim është diçka më shumë se futbolli’”, tha Haller, i cili është reprezentues i Bregut të Fildishtë por që ka lindur në Francë. “Është gjithmonë bukur të përpiqesh t'i bësh të kuptojnë se sa të mëdha janë gjërat dhe futbolli në fund është në prapavijë. Pra, ne thjesht duhet të mos harrojmë pse luajmë”.

Haller u diagnostikua për herë të parë me tumor në korrik, më pak se një muaj pasi nënshkroi për Borussia Dortmundin. Ai ishte sjellë nga Ajaxi për të zëvendësuar Erling Haalandin pasi norvegjezi u shit te Manchester City. Planet e Dortmundit për sezonin 2022/23 u ndërtuan rreth Hallerit. Pa Hallerin në përbërje dhe në dispozicion, Dortmundi ra në vendin e gjashtë në Bundesligë. Anthony Modeste u angazhua si zëvendësues urgjent, por sulmuesi me përvojë shënoi vetëm dy herë në 20 ndeshje. Sulmuesi 18-vjeçar Youssoufa Moukoko ka shumë talent, por nuk është dukur mjaft i gatshëm për të udhëhequr një ekip të nivelit të Dortmundit çdo javë.

Haller hyri në lojë kundër Augsburgut gjysmë ore para fundit, për të zëvendësuar Moukokon. Modeste ishte jashtë ekipit. Ndonëse nuk shënoi, Haller krijoi hapësirë për zëvendësuesit e tjerë që të shkëlqenin. Lojtarët e stolit Jamie Bynoe-Gittens dhe Gio Reyna shënuan golat vendimtarë.

“Të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur në pjesën e parë të sezonit dhe tani kemi mundësinë ta nisim vitin e ri me një dinamikë tjetër. Është diçka e re, diçka shtesë. Një tjetër nxitje”, tha Haller. “Gjithashtu me rikthimin tim shpresoj se mund të japë një shtysë. Sigurisht, me atmosferën, tifozët, ekipin, duhet t'i përdorim edhe ato gjëra për të krijuar diçka të re”.

Përpjekja e përhershme e Dortmundit për t'i dhënë fund dominimit të Bayern Munichut mund të jetë e paarritshëme edhe për një vit. Skuadra është shtatë pikë prapa kampionit në fuqi, por një betejë po afrohet për vendet e Ligës së Kampionëve me Eintracht Frankfurtin, Leipzigun, Wolfsburgun dhe sfiduesit e befasishëm, Union Berlinin dhe Freiburgun.

“Jam optimist se do të luajmë në Champions edhe sezonin tjetër. Këtë sezon dua ta ringjalli ekipin për edicionin tjetër, në të cilin besoj se mund ta fitojmë titullin e kampionit të Gjermanisë”, tha ai.

Pasi e kaloi me sukses grupin e Ligës së Kampionëve, që përbëhej nga Manchester City, Sevilla dhe Kopenhageni, Borussia Dortmundi luan në 1/8 e finales muajin e ardhshëm kundër një tjetër skuadreje të madhe në vështirësi, Chelseat.

“Eliminimi i Chelseat do të ishte diçka madhështore pas kthimit tim në fushë. Jam i gatshëm ta ndihmoj Dortmundin dhe nuk do të ndalem për asnjë moment. Po ndihem mirë dhe plotësisht gati për të dëshmuar vlerat e mia”, shtoi Haller.

28-vjeçari ka kontratë me ekipin gjerman deri në verën e vitit 2026, ndërsa krahas Ajaxit karrierë ka bërë edhe te West Ham Unitedi, Eintracht Frankurti, Utrechti dhe Auxerre.