Përfaqësuesja e Kosovës U19 në futboll të sallës ka kaluar në raundin kryesor të Evropianit që do të mbahet këtë vit në Poreç të Kroacisë.
“Dardanët” e rinj të shtunën fituan me rikthim të rezultatit ndaj Maqedonisë së Veriut, dhe siguruan kalimin tutje nga vendi i parë në grup.
Kosova U19 fitoi me rezultatin 6:3.
Jetnor Kabashi dhe Blend Krasniqi shënuan nga dy gola secili dhe nga një realizuan Ideal Abdullahu dhe portieri Blend Bajraktari, për fitoren e madhe të Kosovës.
Maqedonia e Veriut në pjesën e parë kishte krijuar epërsi të dy golave.
Jusuf Josifovski dhe Igor Skeoarovski shënuan në pjesën e parë, ndërsa Bojan Janev shënoi në fund nga penalltia.
Kosova e udhëhequr nga trajneri Suad Keçi kalon tutje si e para nga Grupi C me katër pikë.
Barazoi në ndeshjen e parë me Gjermaninë 3:3, ndërsa e fitoi të dytën ndaj Maqedonisë së Veriut, që ishte nikoqire e këtij grupi.
Pjesë e Maqedonisë së Veriut ishte edhe portieri shqiptar Enis Fera.
Gjermania dhe Maqedonia e Veriut barazuan në ndeshjen e parë 3:3 po ashtu.
Vetëm fituesi i grupit e kalon fazën preliminare.
Kosova në “Main Round” do të udhëtojë në Portugali për të luajtur në Grupin 3.
Grupi 3 përveç Portugalisë, përfshinë edhe Sllovakinë dhe Bjellorusinë.
Ndeshjet e këtij grupi luhen nga 21 deri më 26 mars.
Fituesit e shtatë grupeve kalojnë tutje në Evropianin e Poreçit që zhvillohet nga tre deri më dhjetë shtator.