Sport

Volejboll, Kosova fiton ndaj Moldavisë

Volejbollistet e përfaqësueses U17 të Kosovës kanë shënuar fitoren e parë në kualifikimet për Kampionatin Evropian.

Të premten mbrëma në Ankara të Turqisë, Kosova U17 fitoi me rezultatin 3:2 në sete ndaj Moldavisë. Me fitore, Kosova përfundon e treta në grup, para Moldavisë.

Grupin e ka fituar Bullgaria me nëntë pikë, ndërsa Rumania renditet e dyta me gjashtë pikë. Ndaj Bullgarisë e Rumanisë, Kosova kishte pësuar humbje.

Tani Kosovën e presin ndeshjet për plasman përfundimtar.

Ndeshja ndaj moldaveve ishte interesante. Moldavia e fitoi setin e parë me rezultat 25:22. Kosova u përgjigj në setin e dytë të cilin e fitoi 25:23. Seti i tretë i takoi Moldavisë, 25:23, ndërsa më pas lojtaret e selektorit Donald Suxho ishin bindëse. Kosova U17 setin e katërt e fitoi 25:6, ndërsa në të fundit fitoi 15:5.