Garuesja austriake në kërcime me ski, Sophie Sorschag, të enjten ka vendosur që të garojë për Kosovën në të ardhmen. Bëhet fjalë për garuese me titull të botës në konkurrencë ekipore.
Ajo ka kërkuar vend për të përfaqësuar për disa muaj, kanë shkruar mediat në Slloveni. Ajo është kthyer në garat e kërcimeve me ski pas mungesës prej nëntë muajve për shkak të një lëndimi në gju. Ajo ka konsideruar se dyert e përfaqësueses së Austrisë i janë mbyllur dhe kështu po bëhej gati për sfidë të re.
Federata Skitare e Kosovës të enjten njoftoi se ka arritur marrëveshje që Sorschag të garojë për Kosovën.
Ajo në qershor mori lejen për të ndryshuar vendin që përfaqëson.
“Janë disa mundësi dhe shpresoj që kjo çështje të zgjidhet së shpejti”, kishte thënë garuesja e re e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar.
Sorschag kishte thënë se është përjashtuar nga ekipi nacional i Austrisë në muajin prill, por zyrtarët e federatës austriake kishin thënë se kanë pasur qëllim ta mbajnë garuesen, por ajo vetë ka aplikuar për ta ndryshuar vendin që e përfaqëson.
Estonia dhe Polonia ishin prej opsioneve në nëntor, raportonte siol.net.
Në vitin 2021, garuesja e re e Kosovës kishte fituar titullin e botës në konkurrencë ekipore. Ishte në ekip me tri garuese tjera.