Përfaqësuesja e Kosovës U17 në volejboll, në konkurrencën e femrave, ka pësuar tjetër disfatë në raundin e parë kualifikues të Kampionatit Evropian. Volejbollistet e drejtuara nga trajneri Donald Suxho, të enjten në Turqi, pësuan humbjen e dytë, pasi u mposhtën nga Bullgaria e kësaj grupmoshe.
“Dardanet” e reja u mposhtën nga bullgaret me rezultatin 3:0 në sete, njësoj siç humbën edhe nga Rumania të mërkurën.
Setin e parë, bullgaret e fituan me rezultatin 25:19. Në setin e dytë, Kosova arriti t’i realizonte 20 pikë, por humbi 25:20, ndërsa në setin e tretë u mposht 25:14.
Ndeshjen e tretë dhe të fundit në këto kualifikime, Kosova U17 e zhvillon të premten kundër Moldavisë.
Turqia është nikoqire e Grupit B.