Sport

Kosova U19 në kualifikime me vetëm dy lojtarë të futsallit

Kosova U-19 futsall

Përfaqësuesja U19 e Kosovës në futsall (futboll të sallës) po përgatitet në Prishtinë për ndeshjet kualifikuese për Euro 2023. Por selektori Suad Keçi nën urdhra i ka vetëm dy lojtarë të futsallit. Të tjerët bëjnë karrierë në futboll. Dhe kjo natyrisht është brengë shtesë për shtabin teknik të përfaqësueses.

Në raundin preliminar të kualifikimeve, Kosova është në Grupin C së bashku me Maqedoninë e Veriut dhe Gjermaninë. Ndeshjet luhen në Shkup.

Më 20 janar, Kosova U19 luan me Gjermaninë nga ora 17:00. Më 21 janar prej orës 17:00 është ndeshja Maqedonia e Veriut – Kosova. Fituesi i grupit kalon në raundin kryesor kualifikues.

“Brengosëse për përzgjedhësin Keçi mbetet fakti që shumica e lojtarëve që i ka në dispozicion janë pjesë e futbollit dhe gjatë këtyre ditëve është punuar shumë në aspektin taktik, por edhe në shpjegimin e rregullave të futsallit. Mirëpo ai ka bërë të ditur se pothuajse me të njëjtin problem përballen edhe ekipet tjera, duke pasur parasysh se ka mungesë të lojtarëve nën 19 vjet që janë pjesë e klubeve të futsallit. Ndërkaq dy lojtarët e vetëm që janë pjesë e futsallit edhe me klubet e tyre, Elton Demaj dhe Jon Krasniqi, janë shprehur optimistë për sukses në këtë rreth parakualifikues. Ata kanë thënë se edhe lojtarët e tjerë shumë shpejt janë ambientuar me lojën e futsallit dhe bashkëpunimi mes tyre është shumë i mirë”, ka njoftuar FFK-ja.

Dallimi mes futbollit dhe futsallit nuk është i vogël, sidomos në aspektin taktik. Dhe këtë e di edhe Keçi, që kishte karrierë të madhe në të dy sportet.

“Është pak e vështirë pasi kemi shumë futbollistë nga futbolli i madh dhe vetëm dy futsallista. Për këto katër ditë kemi arritur deri në 70 për qind që të mësohemi ta luajmë këtë lojë. Është një ngecje e madhe për futsallin sepse nuk ka lojtarë. Mirëpo ne kemi bërë një zgjedhje edhe përmes kryetarit të Federatës, Agim Ademi, që na ka mundësuar të marrim lojtarë nga futbolli i madh. Ndoshta këta ndonjë ditë do të na përfaqësojnë edhe në garat e mëdha”, ka theksuar Keçi.

Ai ka pranuar se kualifikimi do të jetë i vështirë. Selektori Keçi e sheh rastin në ndeshjen ndaj Gjermanisë, ndërsa thotë se Maqedonia e Veriut mund ta ketë përparësi terrenin vendas.

Kosova U19 kthehet në kualifikimet e Evropianit të futsallit. Në kualifikimet për Evropianin e kaluar nuk mori fare pjesë. Ndërkohë kishte debutuar në kualifikimet për Euro 2019, që ishte i pari. Kishte mbetur e treta në grup, pas Qipros dhe Suedisë. Prapa kishte lënë vetëm San Marinon.