Sport

Gjilani i fortë edhe në pranverë, kthehet Florim Zuka

Descriptive Text

Klubi i futbollit Gjilani nuk po shpërbëhet. Të hënën është mësuar që Florim Zuka do ta drejtojë klubin edhe në të ardhmen. Me Zukën do të kthehet edhe trajneri Zekirija Ramadani, që kishte dhënë dorëheqje javë më parë. KOHA ka mësuar se Ramadani tashmë i ka ftuar lojtarët për të nisur stërvitjet dhe kjo do të ndodhë këtë javë. Nuk pritet të largohet asnjë lojtar tjetër nga Gjilani, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e përforcimeve.

Nën drejtimin e Florim Zukës, Gjilani për disa vjet ishte prej ekipeve më stabile në Superligë. Verën e kaluar Zuka njoftoi se largohet nga posti i presidentit të klubit. Por ndërkohë nuk u paraqit asnjë i interesuar për të marrë drejtimin e Gjilanit. Trajneri dhe lojtarët kanë vazhduar punën dhe stinorin vjeshtor e përfunduan në pozitën e katërt. Së fundi ishte pritur që Gjilani të dal në shitje, ndërsa shifra e synuar ishte 550 mijë euro.

Me këto mjete do të paguheshin borxhet ndaj lojtarëve. Por ka pasur ndryshim të madh të hënën dhe Gjilani do të jetë sërish ekip stabil i Superligës. Synimi pritet të jetë dalja në Evropë.