Sport

Pengesa drejt grupeve e Skënderbeut, ja kush është Dinamo Zagreb

Descriptive Text

Festa për kualifikimin në fazën e “play offit” të Europa League duket se përfundoi shpejtë për Skënderbeun, që tani do të rikthehet në fushë për të përgatitur një tjetër arritje të finalizuar më parë.

Shorti i hedhur në UEFA vendos përballë korçarëve tani Dinamon e Zagrebit, pengesën e fundit drejt grupeve që garantojnë miliona dhe prestigj.

Por kush është skuadra kroate, që duket se ka humbur në vitet e fundit shkëlqimin e dikurshëm, por edhe talentët që i shiste miliona euro?

I krijuar 72 vite më parë, ekipi dalmat i luan ndeshjet e tij në stadiumin “Maksimir” dhe numëron një prej tifozerive më të zjarrta në Ballkan. Dinamo është shkëputur me polemika nga vëllezërit Mamiq, pas një skandali korrupsioni dhe trukimi ndeshjesh që kanë lënë shenjë.

Presidenti Zdravko Mamiq dhe trajneri Zoran Mamiq u arrestuan dy vite më parë për evazion, falsifikim kontratash dhe shumë të tjera. Jo të largëta janë kujtimet e tifozëve në “Euro 2016”, kur pikërisht “Bad Blue Boys” ndalën ndeshjen e Kroacisë me Çekinë, si kontestim ndaj Federatës për aksionin.

Dinamo konsiderohet një “minierë parash”, pasi shet lojtarët më të mirë në skuadra të njohura, duke arkëtuar shuma të majme. Luka Modriq te Tottenhami, Marko Pjaca te Juventusi, Mateo Kovaçiq tek Interi, apo Mario Manxhukiq te Wolfsburgu kanë qenë pikërisht manovra të klubit dalmat.

Dinamo është ekipi me më shumë tituj në Kroaci, por edhe në Europë shkakton surpriza. Suksesi 2-1 ndaj Arsenalit në grupet e Championsit tregoi aftësitë e kësaj skuadre, transmeton TCH. 

Rivali i ardhshëm i Skënderbeut ka më shumë histori, trofe dhe financa sesa skuadra korçare. Por ekipi i vetëm shqiptar i mbetur në kupat europane shpreson se, topi i rrumbullakët do të rezervojë surpriza, si në ndeshjen e parë më 17 gusht, ashtu edhe në atë të kthimit, një javë më vonë.