Sport

Rrëzohet Colturi, Shqipëria ankohet për pistën në Zagreb

Gara e sllallomit në Kupën e Botës në skijim alpin që u mbajt në Zagreb ka shkaktuar pakënaqësi të shumta. Është ankuar edhe Federata e Skijimit e Shqipërisë.

Federata shqiptare ka reaguar nëpërmjet rrjeteve sociale, ndërsa skitarja e natyralizuar e Shqipërisë, Lara Colturi, ka thënë se nuk do të garojë në garën e dytë në Zagreb, që është dashur të mbahej të enjten.

Në shumë zona të skijimit ka mungesë të borës dhe njësoj ka ndodhur edhe në Kroaci.

Në shumë pjesë të pistës kishte baltë dhe kjo e ka vështirësuar edhe më shumë garimin për skitare.

Njësoj ka ndodhur edhe me skitaren italiane që përfaqëson Shqipërinë, Lara Colturi.

Colturi të mërkurën nuk arriti që të shkojë deri në finish në lëshimin e parë. Ajo u rrëzua por është mirë me shëndet.

“Padyshim se Lara Colturi është vajzë shumë e talentuar dhe e re në moshë. Në pjerrtësinë e tmerrshme, ajo ishte gati që ta përfundonte garën, por në metrat e fundit ajo dështoi. Ishte e pamundur... Herën e ardhshme ne mund të organizojmë garë madje edhe në Tiranë”, ka shkruar me ironi Federata Shqiptare e Skitarisë.

Lara Colturi vlerësohet skitare shumë e talentuar dhe është vetëm 16 vjeçare.

Por ajo nuk ishte e vetmja që pati të njëjtin problem. Kanë qenë plot 21 skitare që nuk kanë arritur që ta përfundojnë me sukses lëshimin në Zagreb.

Pavarësisht rrëzimit, Colturi nuk ka pësuar ndonjë lëndim serioz dhe tashmë do të nis përgatitjet për garat e radhës.

“Pas rrëzimit tim në garën e Zagrebit, jam mirë. Por nuk do të garoj të enjten”, ka shkruar Colturi në Instagram.

Për shkak të erës jo të ftohtë dhe temperaturës së lartë gara në Zagreb të enjten është anuluar.