Sport

Personalitetet e vitit 2022: Ilir Daja – Daja i Ballkanit

Descriptive Text

Ballkani i Suharekës është rritur vazhdimisht në vitet e fundit si klub i futbollit. Por pikë kthese për të u dëshmua të jetë ardhja e trajnerit nga Tirana, Ilir Daja.

Ai mori drejtimin e Ballkanit në fillim të vitit 2022, ndërsa më pas suharekasit për herë të parë fituan titullin e kampionit të Kosovës. Ky ishte vetëm fillimi. Ballkani, si asnjë klub tjetër kosovar, arriti në fazën grupore të Ligës së Konferencës, niveli i tretë i kupave evropiane për skuadra të futbollit. Paraqitja e Ballkanit në fazën e grupeve u vlerësua sukses historik, ndërsa ndikimi i Dajës në këtë sukses, masiv.

Për shumë vjet ka pasur të tillë që kanë dyshuar në cilësinë e trajnerëve nga Shqipëria që kanë drejtuar klube të futbollit në Kosovë. Por me suksesin e Dajës fjalët e tilla janë tretur.

Ai është shquar për profesionalizmin, organizimin e skuadrës, mbrojtjen publike të lojtarëve, për kontributin në mobilizimin e të gjithë vendit për ta përkrahur Ballkanin në ndeshjet evropiane dhe për bashkëpunimin korrekt me mediat.