Ndalet te dy xhudistë të rinj. Ua jep këshillat e nevojshme. U tregon si ta marrin gardin, si ta mbajnë dorën, ku ta vendosin këmbën e ndonjë detaj tjetër. U qëndron pranë dhe i shikon me vëmendje se a po i bëjnë korrigjimet e duhura. Ka nevojë për ndonjë plotësim, është aty pranë.
Bën disa hapa prapa drejt pjesës së sallës ku kryesisht janë të rinjtë dhe shikon të tjerë xhudistë. Afrohet më pas te dy xhudiste të reja. Edhe atyre u jep këshilla. Xhudistet e reja e shikojnë drejt në sy. Janë të fokusuara maksimalisht. Ajo duket e përkushtuar që të rejat t’i marrin mësimet e duhura.
Ato, por edhe gjithë të rinjtë që ishin në sallën e Qendrës Nacionale të Xhudos në një stërvitje të mbrëmjes në pjesën e dytë të dhjetorit, ishin me shumë fat. Po mësonin e po këshilloheshin nga kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi.
Majlinda më nuk garon. I ka dhënë fund karrierës si garuese në verën e vitit 2021. Në vjeshtën e atij viti nisi punën si trajnere në stafin e Driton Kukës, selektorit të Kosovës. Tashmë ka më shumë se një vit përvojë si trajnere.
Fokusi e përkushtimi ishin prej anëve të forta të Majlindës si xhudiste. Këto tipare i ka edhe si trajnere. Ajo nuk e quan veten “bash trajnere”, por shefi i shtabit teknik, Driton Kuka, është shumë i kënaqur me punën që Majlinda e bën në sallën e re të xhudos, të ndërtuar në një pjesë të bukur të Pejës.
Majlinda nuk ndalet në asnjë moment. Gjatë stërvitjes shpesh konsultohet me Tonin, në raste edhe me Fatos Tabakun dhe trajnerin spanjoll, Felipe Sanchez, të angazhuar nga Federata e Xhudos së Kosovës për punë specifike, kryesisht me xhudistë. Kryesisht merret me xhudistët e rinj, por kur ka nevojë, kalon edhe te seniorët. Kur duhet, vrapon edhe për t’u bërë partnere e sparingut e Distrisë apo edhe të tjerave. Kur lirohet prej angazhimeve me të rriturat, kthehet natyrshëm tek të rinjtë.
Ndonëse i ka dhënë fund karrierës si garuese, Majlinda nuk ka ndryshuar shumë. Ka të njëjtën energji, të njëjtën qasje. Është pjesë e xhudos. Xhudoja është jeta e saj.
“Po bëhen një vit e dy muaj që kam filluar si trajnere. Fillimi ka qenë shumë i vështirë. Ishte shumë e vështirë të përshtatem. Ndoshta për faktin që si garuese isha shumë e përkushtuar dhe gjithnjë kam dhënë maksimumin në stërvitje. Dhe kur dola si trajnere kam pritur që garuesit ta kenë të njëjtën qasje, të ushtrojnë në mënyrën e njëjtë si unë. Derisa ka ardhur Toni dhe më ka thënë që këta nuk janë ti, nuk mund të mendosh me kokën tënde”, thotë Majlinda.
“Nuk më pëlqen kur më thonë trajnere”
Kalimi nga xhudiste në trajnere nuk është i lehtë. Këtë e pranon edhe Majlinda. Ajo megjithatë e ka pak më të lehtë, pasi për mentor e ka trajnerin që e ka udhëhequr drejt sukseseve më të mëdha të mundshme në sportin e xhudos. Majlinda e pranon edhe këtë.
“Në fillim ishte vështirë. Më është dashur gati një vit për përshtatje në profesionin e ri. Jam shumë me fat që jam afër Tonit dhe kam prej kujt të mësoj. Sot për sot jam mirë, po punoj me fëmijë, me kadetë, me juniorë, me seniorë, me ekip të parë. Kështu që jam e përfshirë e tëra. Jam gjashtë-shtatë orë në sallë dhe në përgjithësi është mirë. Kam ende shumë për të mësuar. Nuk më pëlqen kur më thonë trajnere. Më shumë është asistent-trajnere, sepse trajnere është diçka krejt tjetër. Që të jesh trajner, sidomos si Toni, është shkencë. Kështu që kam rrugë shumë të gjatë që të bëhem trajnere”, thotë Majlinda.
Ajo flet me dëshirë për xhudistët e rinj që po vijnë. Tregon që ka marrë për të mësuar një grup vajzash e djemsh që janë prej 13 deri në 15 vjeç.
“Realisht kur i kam marrë mund të them se as gjërat bazike nuk i kanë ditur. Ndoshta as të ecin mirë në tatami nuk kanë ditur. Tani janë shumë më ndryshe. Teknikën e kanë shumë më të mirë, taktikën në luftë e kanë shumë më të mirë. Aspektin psikik e kanë pak më ndryshe, janë pak më luftarakë. Kështu që për fillim mendoj që po shkon mirë. E mira e së mirës është që më besojnë, mundohen të bëjnë atë që u them dhe në përgjithësi kemi raport të mirë”.
Nga përvoja e di që lidhja e mirë e trajnerit me garuesin është parakusht për sukses në xhudo. Majlinda ndien që të gjithë xhudistët, edhe të rriturit, i besojnë dhe mundohen ta bëjnë atë që kërkohet prej tyre.
Garat e mëdha
Puna në sallën e xhudos nuk është angazhimi i vetëm i Majlindës, që si sportiste ka vënë standarde të reja jo vetëm sa i takon Kosovës.
Trajneri Kuka e ka futur menjëherë në zjarr, duke ia besuar drejtimin e xhudistëve edhe në garat më të mëdha. Madje në karrigen e trajneres ka qëndruar ulur edhe në Kampionatin Botëror për seniorë. Majlinda tashmë ka disa medalje edhe si trajnere.
“Në fillim ka qenë shumë stresuese dhe përvojë interesante për mua. Gara më e vështirë ka qenë Kampionati Botëror. Deri në momentin e fundit, tri ditë para se të nisemi në Uzbekistan, kam menduar se do të shkojmë krejt bashkë. Mirëpo Toni ka vendosur që të mos vijë dhe të më dërgojë mua. Në fillim nuk mund të them që më ka ardhur shumë mirë. Hera e parë në Kampionat Botëror dhe të shkoj unë vetë, më dukej përgjegjësi shumë e madhe. E falënderoj Tonin që më ka besuar, ashtu edhe garuesit. Ne jemi rritur së bashku dhe e njohim shumë njëri-tjetrin. Por prapë se prapë si trajnere të ulem në karrige në Kampionatin Botëror më është dukur diçka shumë e vështirë. Por e kam gjetur veten shumë mirë, ndonëse në momente të caktuara vetëm sa nuk po hyj në tatami. Kështu që mirë po shkon”, thekson Majlinda.
Pranë tatamit
31-vjeçarja është prej xhudisteve më të mira në histori. Gjithë karrierën e ka zhvilluar në kategorinë deri 52 kilogramë. Pos medaljes së artë olimpike në “Rio 2016”, ka edhe dy tituj të botës dhe një medalje të bronztë botërore. Ka edhe katër tituj të Evropës dhe një medalje të bronztë evropiane. Në garat Masters, Grand Slam e Grand Prix, ka plot 18 medalje të arta. Lista e saj e sukseseve është e gjatë, ndonëse është sfiduar vazhdimisht nga lëndimet. Ajo më herët kishte vendosur që të përfundonte karrierën si xhudiste pas Lojërave Olimpike të Tokios, që u mbajtën verën e kaluar. Në Tokio u ndal herët.
Për një dekadë e gjysmë, Majlinda i është drejtuar tatamit. Tani në garat e xhudos duhet të qëndrojë pranë tij. Dhe jo gjithnjë kjo është e lehtë.
“Në Kampionatin Botëror, kur Distria ishte në gjysmëfinale, ishin Uta Abe, Amandine Buchard, unë, Distria dhe anglezja Chelsie Giles. Pra garueset me të cilat jam ndeshur para një viti. Kështu që ishte një ndjenjë shumë interesante. Nuk e di as vetë se si ta përshkruaj. Kur jemi nisur për të hyrë në arenë, kam pasur emocione sikur të luftoj edhe vetë. Shumë shpesh po më ndodh kjo, sidomos kur jam duke shkuar në tatami pas Laurës. Ndoshta me Laurën jam lidhur pak më shumë, pasi po punoj me të më tepër se me të tjerët për momentin. Kështu që kur jam duke shkuar në tatami me Laurën, më djersitën duart, kam adrenalinë si të jem duke garuar vetë”, tregon Majlinda.
Majlinda në pjesën finale të ngjarjeve të mëdha në vend se me kimono të xhudos tani paraqitet me kostum elegant. Ky nuk është ndryshimi i vetëm. Ajo është më e buzëqeshur se kur ishte garuese. Këtë ia thonë të tjerët nga bota e xhudos.
“Më kanë pritur shumë mirë, edhe pse shumica po më thonë që po dukem shumë më ndryshe. Në fillim nuk e kuptoja si po dukem më ndryshe. Më thonë që tani po dukem më normal, po flas, po qesh. Më thonë se kur isha garuese nuk ka pasur shanse të më shohin duke qeshur. Më thonë se kur isha duke hyrë në dyshekë dukej se po më del flakë, prej fokusit dhe mënyrës së luftës që e kam pasur. Si trajnere jam pak më e relaksuar dhe në përgjithësi të gjithë e kanë pritur mirë, fjalë të mira”.
Shumë gjëra kanë ndryshuar për Majlindën. Jo edhe pasioni i saj për xhudon.
“Xhudoja është ajo që kam bërë tërë jetën dhe ajo që di të bëjë më së miri në jetë. Kur jam në tatami, kur jam duke bërë xhudo, asnjëherë nuk ndihem keq. Përkundrazi, ndihem shumë mirë. Nëse kam ndonjë telashe, problem në familje apo ku ta di unë, kur vij këtu i harroj krejt hallet. Xhudoja është ajo që më bën të ndihem mirë. Xhudoja jam unë”, thotë Majlinda Kelmendi.