Ligat elitare të Evropës, në Angli, Itali, Francë do të nderojnë Pelen para çdo ndeshje në raundin e ardhshëm të lojërave, u njoftua të premten.
“Në nderim të Peles, klubet e Premierligës do të kujtojnë kontributin e tij në futboll gjatë javës së 18-të (30 dhjetor-1 janar) duke mbajtur duartrokitje për një minutë para fillimit”, thuhet në një deklaratë në Tëitter të Premier Leagues angleze. “Lojtarët dhe zyrtarët e ndeshjes do të mbajnë shirita të zinj”, shtoi ai.
Një njoftim i ngjashëm është bërë edhe nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC).
“Me rastin e të gjitha ndeshjeve miqësore të planifikuara për sot, të premten 30 dhjetor, dhe në ditën e 16-të të Serie A të mërkurën më 4 janar, FIGC do të mbajë një minutë heshtje për të kujtuar Pelen”, thuhet në një deklaratë.
Ndeshjet në Ligue 1 të Francës do të paraprihen nga duartrokitje për një minutë, ndërsa një foto e Peles me Kupën e Botës shfaqet në ekranet e mëdha të stadiumeve, tha Liga Profesionale e Futbollit (LFP).
Në Spanjë, La Liga njoftoi të enjten në mbrëmje se do të mbahej një minutë heshtje para çdo ndeshje, duke filluar me përballjen e së enjtes në mbrëmje midis Atletico Madridit dhe Elches. Brazili filloi të premten tre ditë zie kombëtare për Pelen, tri herë fituesin e Kupës së Botës, i konsideruar gjerësisht si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, i cili vdiq të enjten pas disa vitesh me kancer. Vdekja e “O Rei” (Mbretit) shkaktoi një valë homazhe nga e gjithë bota për njeriun që transformoi futbollin dhe e kapërceu sportin.