Qindra tifozë kanë komentuar postimin e fundit të Graziano Pelles në Instagram, duke e ngatërruar atë me legjendën braziliane Pele.
Familja e Peles konfirmoi vdekjen e legjendës braziliane më 29 dhjetor. Fituesi i tri Kupave të Botës, vdiq në moshën 82-vjeçare në spitalin “Albert Einstein” në Sao Paulo pas një lufte të gjatë me kancerin në zorrën e trashë.
Klubet dhe lojtarët kanë bërë homazhe për ish-sulmuesin në rrjetet sociale. Ai është i vetmi që ka fituar Kupën e Botës tri herë dhe konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave, nëse jo më i madhi.
Megjithatë, jo të gjitha mesazhet e fansave kanë pasur për qëllim legjendën braziliane.
Në fakt, qindra prej tyre kanë komentuar postimin e fundit të Graziano Pelle në Instagram, duke i dërguar ngushëllimet e tyre, duke e ngatërruar atë me Pelen për shkak të mbiemrit të ngjashëm.
Disa shkruan “Rip King” ose “Rip Legend”, ndërsa të tjerë postuan mesazhe zie qëllimisht për të bërë shaka me shije të keqe.
Italiani Graziano Pelle shënoi nëntë gola në 20 paraqitje me Italinë dhe vetëm dy gola në 37 ndeshje të luajtura në Serie A.