Sport

Benzema nuk u largua nga Katari, shkaku i lëndimit por shkaku i bashkëlojtarëve

Karim Benzema me Francen

Detaje të reja në lidhje me ndarjen e papritur dhe të keqe të sulmuesit Karim Benzema me Francën janë paraqitur të hënën në mediumet franceze. Prania e tij raportohet se ka shkaktuar tension tek Antoine Griezmann, ndërsa lojtarët e tjerë kishin frikë se Benzema do të kishte një ndikim të keq mbi ekipin në Katar.

Benzema u dërgua në shtëpi në prag të Botërorit pasi pësoi një lëndim, por kishte disa spekulime se ai mund të ishte kthyer për ndeshjen finale kundër Argjentinës, pasi luajti në një miqësore për Real Madridin ndërkohë. Raportohet se Benzema refuzoi mundësinë për t'u rikthyer në Katar pasi u grind me trajnerin Didier Deschamps. Më pas me anë të mediave sociale e konfirmoi se ka vendosur t'i thotë lamtumirë karrierës ndërkombëtare. Vendimin e publikoi pas humbjes së Francës në finale nga Argjentina.

Arsyet e këtij vendimi të papritur të fituesit të “Topit të Artë” kanë të bëjnë me sulmuesin e Atletico Madridit, Griezmannin. Raportohet se Griezmann ka ndjerë se të gjitha mediat i kishin kushtuar rëndësi sulmuesit të Real Madridit, duke e lënë në hije atë si para ashtu edhe gjatë turneut. Griezmann ishte i shqetësuar me faktin se shumë pak është paraqitur si në media ashtu edhe në rrjetet sociale në krahasim me Benzeman dhe kishte paralajmëruar se do të kërkonte nga Federata e Futbollit të Francës thirrjen urgjente të një takimi për t’i shprehur shqetësimet që kishte.

Largimi i papritur i Benzemas po vazhdon ende të mbetet temë kryesore në Francë, ndonëse ka një javë që ekipi është kthyer nga Katari pas humbje me penallti nga Argjentina më 18 dhjetor.

Benzema ditë i parë i ka fshirë pothuajse të gjithë bashkëlojtarët te Franca nga profili personal në Instagram. Krahas Griezmannit, i cili është kundërpërgjigjur në të njëjtën mënyrë, mësohet se edhe dy futbollistë të tjerë të Francës nuk po e përcjellin më Benzeman në rrjetet sociale. Olivier Giroud dhe kapiteni Hugo Lloris, kishin përkrahur Griezmannin në shqetësimin e tij dhe kishin dyshime të mëdha për ndikimin e Benzemas në ekip. Ata frikësoheshin se prania e Benzemas do ta prishte atmosferën para shkuarjes në Katar. Kjo treshe përkrahje kishte marrë edhe nga mesfushori Paul Pogba, i cili nuk ishte pjesë e Francës në Katar për shkak të lëndimit, por kishte biseduar personalisht me trajnerin Deschamps për ta paralajmëruar rreth dyshimeve që i kishte për rolin e Benzemas në ekip.

“Griezmann i pari ka shprehur shqetësimet e tij për Benzeman, ndërsa ka pasur edhe përkrahjen e Giroudit, kapitenit Lloris dhe Pogbas. Këto janë arsyet që Benzema është larguar nga Katari. Ai nuk ka qenë i dëshiruar në ekip për shkak se kishte vëmendje të madhe dhe të tjerët vlerësonin se mund të kishte ndikim negativ brenda ekipit”, ka shkruar “FootMercato”. “Për këtë arsye, Benzema edhe ka refuzuar mundësinë që të kthehet në ekip për ndeshjen finale. Ai e ka ditur se nuk ka qenë i dëshiruar prej disa lojtarëve të tjerë, të cilët tashmë i ka larguar nga Instagrami i tij”.

Benzema i ka larguar të gjithë bashkëlojtarët e Francës nga rrjetet sociale, me përjashtim të Eduardo Camavingas, Aurelien Tchouamenit, Kylian Mbappes, Raphael Varanes e Marcus Thuramit. Camavinga dhe Tchouameni janë bashkëlojtarët e tij te Real Madridi, ndërsa Benzema nuk e ka larguar nga lista Zinedine Zidanen, i cili po konsiderohet si favoriti kryesor për ta zëvendësuar Deschampsin në postin e trajnerit të Francës. Edhe pse u kthye në ekip vitin e shkuar pasi ishte larguar për disa vjet shkaku i një skandali, Benzema asnjëherë nuk është mirëpritur te Franca. Në raporte thuhet se të gjithë lojtarët ishin të ftohtë ndaj tij. Benzema e ka kuptuar këtë dhe ka vendosur të largohet përfundimisht. Madje, Deschamps kishte mbajtur një fjalim për të mirëpritur sulmuesin e Real Madridit përsëri në grup, por në mesin e të pakënaqurve për rikthimin e tij haptazi doli kapiteni Lloris. Fytyra e tij dhe gjestet tregonin se jo të gjithë lojtarët e mirëpritën Benzeman.

“Bëra përpjekjet dhe gjërat e nevojshme për të qenë këtu ku jam dhe jam krenar për këtë! Unë kam shkruar historinë time dhe jona po mbaron”, shkroi Benzema në Instagram ditë më parë kur njoftoi për tërheqjen nga Franca. Benzema hodhi poshtë ofertën e presidentit francez Emmanuel Macron për të marrë avionin e tij privat për në Katar për finalen e së dielës. Ai ka debutuar me Francën në vitin 2007 dhe në 97 paraqitje ka shënuar 37 gola.