Sport

Komisioni i MKRS-së thotë se FFK-ja “ka tendencë të hapur të shantazhimit”

Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive të premten i ka dërguar edhe një letër Federatës së Futbollit të Kosovës. FFK-ja vazhdon të jetë pa licencë, ndërsa ka përplasje të dukshme mes palëve.

Ndonëse kryetari i FFK-së, Agim Ademi, është shprehur i bindur se FFK-ja do të licencohet, raportet me MKRS-në, përkatësisht me Komisionin duken largë prej atyre stabile.

Komisioni e ka akuzuar FFK-në se ka shprehur “tendencë të hapur të shantazhimit”.

“Qasja e tillë përveç që është paragjykuese, është edhe denigruese dhe paraqet tendencë të hapur të shantazhimit, dhe ka për qëllim të bëjë presion në punën e anëtarëve të Komisionit Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive, prandaj kërkojmë që kjo qasje të ndërpritet sepse është e pabazuar plotësisht, dhe në vend të kësaj ofrojmë dhe kërkojmë bashkëpunim reciprok në këtë proces që është tërësisht dhe vetëm ligjor”, shkruan në emailin e fundit të Komisionit për FFK-në.

Komisioni i MKRS-së është pro qëndrimit të FFK-së që me çështjen të njoftohet edhe FIFA e UEFA.

“Sa i përket hipotezës suaj se veprimet e KVLFS-së mund të konsiderohen nga UEFA dhe FIFA si ndërhyrje në pavarësinë e FFK-së; ndërlidhur edhe me qëndrimin tuaj se komunikimin e FFK-së me KVLFS-në do ta përcjellni tek zyrtarët e UEFA-s dhe FIFA-s; ju njoftojmë se KVLFS-ja nuk ka asgjë kundër iniciativës tuaj, sepse kjo vetëm se e rrit transparencën dhe llogaridhënien reciproke. KVLFS-ja ka vetëm një kërkesë për FFK-në: zyrtarëve të UEFA-s dhe FIFA-s t’iu përcjellen të gjitha shkresat zyrtare që iu janë dërguar juve nga nga ana e KVLFS-së prej datës 29 Nëntor 2022 e këndej, dhe që shkresat zyrtare të KVLFS-së të përcjellen të plota dhe pa ndërhyrje.

Ndërlidhur me hipotezën tuaj të pabazuar të ndërhyrjes së KVLFS / MKRS-së në autonominë e FFK-së dhe mundësinë e përjashtimit të FFK-së nga UEFA dhe FIFA, ua bëjmë me dije se bazuar në Statutin e UEFA’s (Edicioni 2021), në kuadër të Nenit 9 – Pezullimi, janë dhënë Arsyet specifike për pezullim, si vijon:

“Një Shoqatë Anëtare mund të pezullohet në veçanti nëse autoritetet shtetërore ndërhyjnë në punët e saj në mënyrë të tillë që:

a) nuk mund të konsiderohet më si plotësisht përgjegjëse për organizimin e çështjeve të lidhura me futbollin në territorin e saj;

b) nuk është më në gjendje të kryejë detyrat e saj statutore në mënyrën e duhur;

c) mbarëvajtja e garave të organizuara nën kujdesin e saj nuk garantohet më; ose

d) nuk sigurohet më zgjedhja e lirë e organit të saj ekzekutiv ose zgjedhja apo emërimi plotësisht i pavarur i organeve të tjera të saj.

Çdo pezullim do t'i paraqitet Kongresit të ardhshëm për shqyrtim nëse Shoqata Anëtare duhet të përjashtohet ose jo, ose pezullimi të hiqet apo të vazhdojë. Nëse Kongresi nuk e shqyrton çështjen, pezullimi pushon.”

Me asnjërën prej arsyeve specifike të sipërshënuara (nga pika a deri në pikën d) nuk mund të ndërlidhen kërkesat / kriteret për licencim të FFK-së, të cilat derivojnë nga Udhëzimi Administrativ (MKRS) Nr. 01/2022 për Kushtet, Kriteret dhe Procedurat e Themelimit, Licencimit dhe Ri-vlerësimit të Federatave dhe Organizatave Sportive, me ndonjë ndërhyrje apo cenim të autonomisë së funksionimit dhe veprimit të FFK-së.

Rrjedhimisht, KVLFS kërkon nga FFK që të bëjë plotësimin e vërejtjeve të adresuara në shkresat paraprake nga KVFLS, dhe në afatin më të shkurtër të mundshëm t’i dërgojë dokumentet përkatëse në formën fizike dhe në formën elektronike tek zyra e arkivit në kuadër të MKRS-së, në mënyrë që KVLFS të mund t’i shqyrtojë ato në afatin më të shkurtër të mundshëm kohor, dhe që procesi të sigurojë mbarëvajtjen e duhur”, shkruan tutje në letrën.

Sipas korrespodencës, licencimi i FFK-së nuk është afër.

{gallery}