Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, insiston se koha e tij në klubin anglez nuk do të jetë e kompletuar nëse ata nuk arrijnë të fitojnë trofeun e Ligës së Kampionëve. Guardiola e zgjati kontratën e tij me Cityn deri në verën e vitit 2025, ndërsa sezoni i Premier Leagues ishte në pushim për shkak të Kupës së Botës, “Katari 2022”. City ka fituar nëntë trofe të mëdhenj që kur Guardiola u bë trajner në vitin 2016, por ende nuk kanë fituar asnjë çmim evropian. City ishte shumë afër triumfit në Ligën e Kampionëve vitin 2021, por u mposht në finale nga skuadra e Chelseat.
Përveç humbjes finalen e luajtur në Portugali, skuadra angleze u eliminua nga Real Madridi në gjysmëfinalen e sezonit të kaluar. Po ashtu, Cityt është eliminuar tri herë në fazën çerekfinale të Championsit, ndërsa në sezonin e parë të Guardiolas në krye, u eliminua në 1/8 e finales nga skuadra e Mopnacos. Të mërkurën, Guardiola ka thënë se këtë trofe e dëshiron me çdo kusht, përpara se të largohet nga City. Ai shpreson që këtë sukses ta arrijë para se t’i skadojë kontrata pas më shumë se dy vjetësh.
“Nuk është i vetmi, por e pranoj se është trofeu që duam dhe periudha ime këtu nuk do të jetë e kompletuar nëse nuk e fitojmë”, është shprehur Guardiola. “Do të bëj gjithçka në kohën që e kemi së bashku për ta fituar dhe nuk do të dorëzohemi. Është trofeu që nuk e kemi dhe do të përpiqemi ta marrim. Kam ndjenjën se City do ta fitojë këtë garë herët a vonë”.
Këtë edicion, City e ka kaluar pa telashe fazën e grupeve të Championsit. Në fazën e parë nokaut, City do të përballet me Leipzigun e Bundësligës. Këtë sezon, City synon të bëhet vetëm klubi i pestë që fiton titullin anglez në tri sezone radhazi dhe të enjten përballet me Liverpoolin në rundin e katërt të EFL Cup. Guardiola e ka fituar këtë trofe në katër raste, duke u barazuar me Brian Clough, Sir Alex Ferguson dhe Jose Mourinho si trajneri më i suksesshëm në historinë e kësaj gare. Megjithatë, City është i penguar sepse kishte 16 lojtarë në Kupën e Botës. Nathan Ake, Manuel Akanji dhe dyshja e Spanjës, Rodri dhe Aymeric Laporte u rikthyen në stërvitje në fillim të kësaj jave dhe do t'i bashkohen Kevin de Bruynet, Ilkay Gundoganit, Erling Haalandit dhe Riyad Mahrezit si lojtarë kryesorë që Guardiola do t’i ketë në dispozicion për t’u përballur me Liverpoolin.
“Hap pas hapi ata kthehen”, tha Guardiola. “Jemi të lumtur që janë kthyer. Kam ndjenjën se ata që ishin në Kupën e Botës janë në gjendje më të mirë se lojtarët që nuk ishin, sepse lojtarëve që nuk shkuan u mungon ritmi”.
Guardiola vlerësoi sulmuesin 22-vjeçar Julian Alvarez, i cili ishte një nga yjet e shquar të Argjentinës gjatë triumfit të vendit në Kupën e Botës në Katar këtë muaj. Ai gjithashtu përgëzoi Lionel Messin, me të cilin pati sukses të madh te Barcelona, dhe ish-mbrojtësin e Cityt, Nicolas Otamendi.
“Ne jemi të kënaqur për Julianin, ai luajti shumë, kontributi i tij ishte i mahnitshëm për ekipin”, shtoi trajneri i Cityt. “Ne kemi një kampion bote në ekipin tonë. Jemi jashtëzakonisht të lumtur për të. Urime atij dhe Otamendit dhe personalisht Messit. Po ashtu, edhe Argjentinës, ishte sukses i merituar”.
Shefat ekzekutivë të Manchester City dhe Liverpool, Ferran Soriano dhe Billy Hogan, u kanë shkruar të dy tifozëve të klubeve përpara ndeshjes duke bërë thirrje për qetësi pas një sërë përplasjesh në duelet që këto klube i kishin në sezonet e fundit. Në “Anfield Road” në tetor, Cityt iu thye xhami i autobusit të ekipit të tyre, ndërsa tifozët e tyre kënduan për tragjeditë që kanë prekur aq keq Liverpoolin. Dhe, Guardiola e përsëriti këtë mesazh, duke thënë se ai dëshiron që tifozët të fokusohen në lojë.
“Bëhuni mbështetës dhe mbështesni ekipin tuaj pa kushte”, tha ai. “Me lojtarët cilësorë në të dyja anët, shijoni lojën”.
Ndeshja mes Cityt dhe LIverpoolit zhvillohet në “Etihad Stadium” prej orës 21:00.