Sport

FFK-ja ende pa licencë, përfitimi nga sponsorizimi aktualisht i pamundur

Asnjë vërtetim për sponsorizime nuk do të lëshohet për federatat dhe klubet që nuk janë pajisur ende me licencë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS). Nuk do të marrin vërtetime derisa federatat të pajisjen me licencë. Kështu i ka rekomanduar të mërkurën Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive të Kosovës, Komisionit për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave për Lëshimin e Vërtetimeve për Sponsorizim në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, konkretisht në fushën e sportit.

Njëra prej shumë federatave që nuk është pajisur ende me licencë nga MKRS-ja është edhe Federata e Futbollit e Kosovës (FFK). FFK-ja ka aplikuar për licencim, por nuk e ka marrë ende. Është në proces të licencimit. Vetëm shtatë federata deri tash kanë marrë licencë nga MKRS-ja që prej ditës kur është bërë thirrja për aplikim. FFK-ja dhe klubet e saj kanë bërë më së shumti kërkesa për sponsorizime. Vlerësohet të jetë rreth 1 milion euro. Në fakt, federatat dhe klubet, në veçanti të futbollit, burimin kryesor të të hyrave e kanë nga sponsorët.

Dhe, po në ditën kur është lëshuar rekomandimi, një klubi të Superligës i janë refuzuar dokumentet me arsyetimin se FFK-ja nuk është e licencuar.

“Ishim për të dorëzuar katër marrëveshje për sponsorizim, por nuk na i pranuan dokumentet me arsyetimin se FFK-ja nuk ka marrë licencë”, ka thënë një zyrtar i një klubi të Superligës në futboll, në kushte anonimiteti.

KOHA ka siguruar dokumentin e lëshuar nga Komisioni Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive. Të njëjtin ia ka adresuar edhe ministrit të Sportit, Hajrulla Çeku, Departamentit të Sportit, Komitetit Olimpik të Kosovës, Komisionit të Sponsorizimeve të MKRS-së, Zyrës së Arkivit të MKRS-së dhe Arkivit të KVLFS-së.

Image
Image

“Të gjitha kërkesat e federatave të palicencuara, klubeve dhe organizatave sportive anëtare të federatave të palicencuara, klubet dhe organizatat sportive të cilat nuk i kanë plotësuar kriteret në procesin e licencimit të anëtarësuara në federatat e licencuara të mos shqyrtohen nga ana e Komisionit për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave për lëshimin e Vërtetimeve për Sponsorizim në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, konkretisht në fushën e sportit”, shkruan në dokumentin e Komisionit Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive të Kosovës, i nënshkruar nga kryesuesi Fidan Shatri. “Ndërsa për klubet, organizatat anëtare të federatave sportive të licencuara dhe federatat sportive të licencuara që i kanë plotësuar kriteret në procesin e licencimit (duke u bazuar në rekomandimin e KVLFS) të vazhdohet trajtimi i lëndëve sipas Rregullores së MKRS-së nr.01/2018 për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe formave për vërtetimin e sponsorizimit në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit”.

Ligji ka hyrë në fuqi që më 13 janar të vitit 2017, ndërsa ka nisur të aplikohet vetëm në vitin 2020. Për shkak të ndërlikimeve të shumta, nuk ishte zbatuar prej fillimit. Ende ka dyshime se marrëveshjet e sponsorizimit mundësojnë keqpërdorime, sidomos duke kthyer një pjesë të mjeteve tek ata që ofrojnë marrëveshjet. Pra, te kompanitë apo përfaqësuesit e tyre. Kjo, sipas dyshimeve, bëhet për të shpërblyer ata që sigurojnë mjetet nga sponsorizimi për klubet e federatat. Derisa në vitin 2020 klubet e federatat kishin përfituar rreth tre milionë euro, shifra ka shkuar përtej shtatë milionë eurove në vitin 2021. Vetëm federatat sportive në vend i kanë përfituar mbi një milion euro nga marrëveshjet e sponsorizimit në vitin e kaluar. KOHA ka marrë një opinion të kryetarit të Trepçës ’89, Abedin Zeka. Zeka, që mban klubin mitrovicas tashmë një kohë të gjatë, pret të dijë arsyet pse FFK-ja nuk është licencuar ende.

“Ne kemi luftuar që ta kemi Ligjin për Sponsorizime dhe nëse Federata nuk merr licencë, pasojat i kemi ne klubet. Nuk është faji ynë. Nëse hiqen sponsorët, të cilët i falënderoj për kontributin, nuk kam forcë ta mbaj më dhe sigurisht se nuk do të vazhdojmë edhe garat. Besoj se të gjitha klubet janë njëjtë. Duhet të dimë pse nuk po licencohet. Nëse është faji te Federata le të na tregojë. Presim nga MKRS-ja të na tregojë pse nuk u licencua Federata e Futbollit të Kosovës. Urgjentisht duhet të na tregojë, sepse nëse na hiqen sponsorizimet, nuk kam forcë për t’i vazhduar garat. E kam ngritur zërin, por disa klube kanë punuar duke mbajtur anën e Federatës dhe tash duhet t’i pyesim ato klube rreth kësaj situate. Nëse veç ne penalizohemi shkaku i FFK-së, ne si klub nuk do të marrim pjesë në gara, pasi nuk kam më forcë”, tha Zeka.

Ndërkohë trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se nëse i ndalohet e drejta për të përfituar nga Ligji i Sponsorizimit do të iniciojë një protestë.

“Do t’i bëj thirrje vetë për të organizuar para Kuvendit një protestë masive e që do të jetë e përmasave më të mëdha që është mbajtur ndonjëherë. Pra, do të ketë rreth 30 apo 40 mijë sportistë”, ka thënë Batatina për KOHËN. “Nëse duan t’i lënë sportistët në rrugë le të vazhdojnë kështu. MKRS duhet ta dijë se nuk është faji i klubeve. Na bëhet një dëm i madh. Do të ketë probleme të mëdha”.

Me reagim ka dalë edhe FFK-ja, që pranon se ende nuk ka marrë licencë nga MKRS-ja. FFK-ja po ashtu ka pranuar në reagimin e saj se i duhen dokumentacione shtesë për t’i plotësuar kriteret e licencimit në MKRS.

“Federata e Futbollit e Kosovës demanton lajmin e publikuar në media të caktuara për kinse moslicencim. FFK njofton opinionin se nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ka asnjë vendim lidhur me refuzim të aplikimit për rilicencim”, thuhet në reagimin e FFK-së. “FFK ka aplikuar në afatin e paraparë dhe i ka bashkëngjitur me kohë dokumentet e kërkuara nga Komisioni Vlerësues për Licencim të Federatave Sportive (KFLFS). Nga ky komision kemi marrë përgjigje për disa dokumente shtesë dhe menjëherë e kemi informuar se do t’i plotësojmë këto dokumente brenda afatit të caktuar”.

FFK-ja ka theksuar se “qëndrimin e Ministrisë e jep lidershipi i saj, e i cili deri më tash ka qenë dhe është tejet korrekt dhe profesional në raport me Federatën”.

Në fund të reagimit thuhet se FFK ka kapacitet për t’i plotësuar të gjitha kushtet ligjore të kërkuara me aktet ligjore për rilicencim dhe plotësimin e kërkesave nga rregullativa e UEFA-s dhe FIFA-s.

Ndërkohë, më herët për KOHËN, ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se nuk do të ketë kompromise në procesin e licencimit.

“Në momentin që ka hyrë në fuqi Udhëzimi i ri Administrativ, unë nuk kam të drejtë t’ia vazhdoj askujt licencën, sepse tani është hapur dera për licencim. Unë i lus federatat që të aplikojnë sa më shpejt. Pingpongu ishte Federata e parë e licencuar dhe shumë shpejt do të kemi Federatën e dytë dhe të tretë që do të licencohen. Mbi dhjetë aplikime janë dorëzuar, nëse nuk jam gabim. Po aq janë duke u përgatitur për t’u dorëzuar. Licencimi bëhet për këtë cikël olimpik dhe licenca vlen deri në fund të vitit 2024. Federata që nuk licencohet nuk ka të drejtë të organizojë gara. Kjo vlen për të gjitha federatat. Pse duhet të vlejë diçka tjetër për Federatën e Futbollit? FFK-ja është njëra nga federatat, a ka ndonjë ligj që thotë që ajo është më e rëndësishme se këto të tjerat? Nëse më thua për nga fuqia financiare, futbolli është industri më vete. Por, këto janë diskutime të tjera. Karshi ligjit, karshi Udhëzimit Administrativ, të gjithë janë të barabartë”, pati thënë ministri Çeku në nëntor të këtij viti për KOHËN.