Sport

Blatteri kritikon planet e Infantinos për formatet e Kupës së Botës

 

Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, po kritikon ashpër planet e pasardhësit Gianni Infantino për një kampionat botëror me 48 përfaqësuese dhe një kupë të botës për klube të zgjeruara. Në një intervistë me të përjavshmen gjermane “Die Zeit” të publikuar të mërkurën, Blatter tha se “ajo që po ndodh në këtë moment është një mbikomercializim i lojës së futbollit”. Sipas tij, FIFA me këto veprime po e cenon futbollin e klubeve, gjë që nuk ka aspak të drejtë. Ai insistoi se FIFA po përpiqet t’i bëjë konkurrencë Ligës së Kampionëve në Evropës me Botërorin e Klubeve.

“Ka përpjekje për të shtrydhur gjithnjë e më shumë nga limoni – për shembull me finalet e Kupës së Botës me 48 ekipe ose tani me një botëror për klube që duhet parë si konkurrencë e drejtpërdrejtë për Ligën e Kampionëve”, ka thënë Blatter. “FIFA po cenon këtu diçka që në fakt nuk është punë e saj, futbolli i klubeve”.