Sport

Distria, mbretëresha e Mastersit

“Distria Krasniqi është mbretëresha e Mastersit”.

Kështu ka shkruar të martën mbrëma sajti zyrtar i Unionit Evropian të Xhudos pas suksesit që e arriti xhudistja kosovare. Distria ishte e hatashme në kategorinë deri 52 kilogramë dhe fitoi të artën në garën e dytë më të rëndësishme të vitit.

Të martën në Jerusalem të Izraelit nisi Mastersi, gara që ofron pikë për ranglistën botërore gati sa Kampionati Botëror. Pra, Federata Ndërkombëtare e Xhudos e llogarit Mastersin garë më të madhe se garat Grand Slam, Grand Prix dhe madje edhe se Evropiani.

Mastersi mbahet një herë në vit, ndërsa paraqiten vetëm xhudistët më të mirë nëpër kategori. Dhe është gara e pëlqyer e Distria Krasniqit. Ajo për herë të katërt e ka fituar medaljen e artë në garën e më të mirëve. Por, për herë të parë në kategorinë deri 52 kg, në të cilën është kthyer pas Lojërave Olimpike të Tokios ku fitoi medaljen e artë.

Në finale, Distria e mposhti britaniken Chelsie Giles. Ndaj saj realizoi herët aksion për uazari, ndërsa më pas e kontrolloi luftën deri në fund.

“Ishte finale e fortë, por një shënim në 15 sekondat e parë ndaj medalistes olimpike dhe botërore, Giles, i mjaftoi Krasniqit për vend në majë të podiumit”, ka shkruar tutje EJU-ja.

Me të artën në Masters, Distria i ka fituar plot 1800 pikë në ranglistën botërore. Dhe sipas Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, ajo kthehet në pozitën e parë në ranglistën botërore, tani në kategorinë e re.

Distria në xhiron e parë ishte e lirë. Më pas në xhiron e dytë e kaloi amerikanen Angelica Delgado. Me fitore ndaj spanjolles Ana Perez Box, zuri vend në gjysmëfinale. Në gjysmëfinale ishte më e mirë se hungarezja Reka Pupp.

Kështu Distria Krasniqi e mbyll me medalje të artë një vit shumë të suksesshëm të saj. Në janar ajo fitoi të artën në Grand Prix të Portugalisë. Në shkurt fitoi medaljen e argjendtë në Grand Slamin e Parisit, ndërsa në Evropian, në fund të prillit fitoi medaljen e bronztë. Në qershor garoi në Grand Slamin në Tbilisi dhe në Lojërat Mesdhetare në Oran. Fitoi dy të arta. Menjëherë në korrik ishte e dyta në Grand Prix në Zagreb, kurse në tetor, në Kampionat Botëror, fitoi medaljen e bronztë.

Distria në Masters ishte bartësja e gjashtë. Giles ishte bartësja e pestë. Aktualisht Distria është e shtata në ranglistën botërore, por jo edhe shumë ditë.

“Ndihem shumë mirë. Mastersi është gara ime e pëlqyer dhe përgatitem shumë për të. Kam kujtime të shkëlqyera në këtë garë kështu që mezi pres të garoj këtu. Kam luftuar me Chelsien shumë herë kur isha në kategorinë deri 52 kilogramë. Kam humbur prej saj në gjysmëfinale të Botërorit. Chelsie bën punë të madhe, është xhudiste e shkëlqyer, merr medalje në ngjarjet më të mëdha. Mendoj se të dyja po rritemi së bashku dhe po shikoj para që të përballem me të sërish”, ka thënë Distria Krasniqi.

Sipas IJF-së, me paraqitjen në Masters, Distria ka dëshmuar sërish fuqinë e saj.

“Për të siguruar një kthim në krye të listës në kategorinë deri 52 kilogramë, Distria ishte e pamposhtur dhe dëshmoi sërish fuqinë me medaljen e katërt në Masters. Çfarë paraqitjeje”, ka komentuar IJF-ja.

Medaljes së Distrisë i është gëzuar edhe trajneri Driton Kuka. Ai vlerëson nivelin e Mastersit, por edhe pikët që i ofron kjo garë.

Kuka ka vlerësuar edhe paraqitjen e Nora Gjakovës, që megjithatë mbeti pa medalje në kategorinë deri 57 kilogramë. Nora po kthehet në nivelin më të lartë për shkak të një lëndimi, ndërsa të martën përfundoi e pesta. I ka munguar edhe fati në luftërat vendimtare.

Kosovën në Jerusalem e përfaqësojnë edhe Laura Fazliu e Loriana Kuka. Laura garon të mërkurën, ndërsa Loriana të enjten. Dhe Kosova ka potencial edhe për dy medalje të tjera.