Klubi i basketbollit Trepça ka bërë thirrje për finale të qetë të Superkupës së Kosovës. Trepça nga ora 17:00 luan në kryeqytet me Sigal Prishtinën.
Rivaliteti mes skuadrave, e sidomos tifozëve, vlerësohet i madh. Por sipas Trepçës në këtë moment rivaliteti i skuadrave nuk duhet të jetë parësor.
“Vendi ynë asnjëherë s’ka pasur nevojë më shumë se sot për unitet. Andaj edhe ne si klub i ftojmë tifozëritë e të dy ekipeve që të na bashkëngjiten në këtë thirrje. E dimë se rivaliteti në mes Trepçës dhe Prishtinës gjithmonë ka qenë, është dhe kurrë nuk do të vdes, po ashtu edhe rivaliteti në mes të Torcidës dhe Plisave asnjëherë nuk do të shuhet. Por sot vendi ynë dhe tifozëritë tona si asnjëherë më parë kanë nevojë të janë të përmbajtura dhe në përkrahje të Policisë së Kosovës. Të mos shkaktojmë probleme sepse sot më shumë se çdo herë vendi na thërret. Do të ketë kohë edhe për rivalitet, sot duhet të fitoj Kosova”, thuhet në komunikatën e Trepçës, të lëshuar sot.