Sport

Portugalia synon t’i japë fund ecurisë së Marokut në Botëror

Te Maroku ende nuk po mund të besojnë se deri ku kanë arritur në Botërorin e Katarit. Maroku është ekipi i vetëm nga Afrika në fazën çerekfinale të Botërorit dhe ka përkrahjen e fuqishme të tifozëve të vendeve tjera islamike për të vazhduar tutje.

Por, për të arritur në gjysmëfinale të Kupës së Botës, Maroku duhet ta kalojë edhe një pengesë tjetër të vështirë. Pas eliminimit të Spanjës në 1/8 e finales, marokenët po synojnë një tjetër befasi të madhe - eliminimin e Portugalisë së bashku me superyllin e saj, Cristiano Ronaldo.

Është pikërisht Ronaldo që ka lënë në hije Marokun në prag të ndeshjes me Portugalinë. A do të jetë titullar apo jo? Kjo është pyetja e madhe që po bëhet ditët e fundit për Ronaldon, i cili u la në stol nga trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, për fitoren 6:1 ndaj Zvicrës në 1/8 e finales. Ronaldo jo vetëm që u la rezervë, por zëvendësuesi i tij, Gonçalo Ramos, shënoi “hat-trick” për të shtuar edhe më shumë dilemat e përzgjedhjes te Portugalia për duelin kundër Marokut.

Portugalia dhe Maroku përballen të shtunën prej orës 16:00, në çerekfinalen e tretë. Marokenët shpresojnë që Ronaldo mos të jetë titullar.

“Shpresoj që ai të mos luajë”, tha trajneri i Marokut, Walid Regragui, të premten për Ronaldon. “Si trajner e di që ai është një nga lojtarët më të mirë në histori dhe kështu do të isha i kënaqur nëse ai nuk do të luante”.

Publikimi i formacionit të Portugalisë, rreth 90 minuta para ndeshjes në stadiumin “Al Thumama”, po pritet me padurim teksa Ronaldo përgatitet të luajë në çerekfinalen e Kupës së Botës vetëm për herë të dytë në karrierën fantastike.

Përzgjedhësi Santos nuk pranoi të ndante informacione për ekipin të premten. Santos tha se sfida me Marokun do të ishte krejt tjetër prej asaj ndaj Zvicrës, ndërsa vuri në dukje se “90% e pyetjeve” janë rreth Ronaldos në konferencat e shtypit të Portugalisë para ndeshjeve.

Një pyetje e pashmangshme me të cilën u përball Santos ishte në lidhje me raportimet në mediat portugeze se Ronaldo kërcënoi të largohej nga Kupa e Botës pasi iu tha se ishte rezervist. “Nuk është e vërtetë”, tha trajneri.

“Ai kurrë nuk më ka thënë se donte të largohej nga ekipi”, tha tutje Santos, që zbuloi pak nga detajet për vendimin që ta linte në stol superyllin ndaj Zvicrës. “Cristiano pa dyshim që nuk ishte shumë i lumtur për këtë. Ai më tha: ‘A mendon vërtet se është një ide e mirë?’. Pasi ia shpjegova mendimet e mia, ai pranoi vendimin si gjithë të tjerët”.

Portugalia është në këtë fazë vetëm për herë të tretë, pas viteve 1966 dhe 2006. Është ndoshta pak befasuese duke pasur parasysh talentin që ka pasur në radhët e veta ndër vite. Katër vjet më parë, Portugalia humbi në 1/8 e finales nga Uruguai, megjithëse një ndeshje në fazën e grupeve kundër Marokut ishte “ndoshta më e vështira” me të cilën u përball, tha Santos të premten.

“Ne fituam 1:0, por duhej të vuanim shumë për ta fituar atë ndeshje. Lojtarët e mi e dinë këtë”, tha trajneri portugez. “Do të jetë një ndeshje e vështirë, por mendoj se jemi gati edhe për këtë sfidë”.

Maroku u bë vetëm përfaqësuesja e katërt afrikane që arrin në çerekfinale në turneun më të madh të futbollit, pas Kamerunit (1990), Senegalit (2002) dhe Ganës (2010). Asnjëri prej tyre nuk arriti në gjysmëfinale. Maroku është gjithashtu i vetmi ekip jashtë Evropës apo Amerikës së Jugut që ka kaluar në tetë të fundit në Katar. Fitorja me penallti ndaj Spanjës në 1/8 e finales u përcoll me festime të egra jo vetëm mes tifozëve të shumtë të Marokut në Katar dhe në shtëpi. Ngazëllimi u shtri në diasporën marokene me rreth 5 milionë të përhapur kryesisht në Evropë, e cila është bashkuar në këtë festë. Tifozët e Marokut dolën në rrugët e qyteteve evropiane për të festuar kalimin në çerekfinale, që erdhi pasi Maroku avancoi nga një grup i vështirë, pjesë e të cilit ishin Belgjika e Kroacia.

“Ne nuk jemi rrëmbyer nga euforia”, tha trajneri i Marokut, Walid Regragui. “Ne thjesht kemi befasuar disa njerëz dhe kemi befasuar disa algoritme që prisnin që Belgjika të kalonte… dhe prisnin që Spanja të kalonte. Nuk jemi të kënaqur me atë që kemi arritur deri tani”.

Regragui, i cili është i lindur në Francë, dhe që 14 nga 26 lojtarët i ka të lindur jashtë Marokut, po kërkon më shumë. Ai tha se e ka planin për ta shkaktuar befasinë e radhës.

“E kemi një plan për të avancuar në gjysmëfinale dhe besoj fuqishëm”, insistoi ai.

Maroku është në çerekfinale për meritë të tij. Skuadra ka pësuar vetëm një gol - autogol kundër Kanadasë - dhe po dëshmohet si shumë e organizuar, me katër mbrojtës të udhëhequr nga Achraf Hakimi, një mesfushë e dirigjuar nga Sofyan Amrabat, dy sulmues krahu fantastikë Hakim Ziyech e Sofiane Boufal, si dhe një sulmues si Youssef En-Nesyri, i cili befason mbrojtjet kundërshtare.

Tre lojtarë kyç mund të jenë në vështirësi për të qenë mjaftueshëm të shëndetshëm për të luajtur kundër Portugalisë. Amrabat tha se ndaj Spanjës luajti me një dëmtim të shpinës që kërkonte injeksione qetësuese. Me Spanjën, kapiteni Romain Saiss e përfundoi lojën me këmbë të fashuar pas trajtimit dhe qendërmbrojtësi tjetër, Nayef Aguerd pësoi dëmtim në kofshë.

“Po, janë të lodhur, po, kemi lëndime. Nuk do ta fshehim dhe nuk do të ankohemi”, tha Regragui. “Ne jemi këtu në një mision dhe do t’i shkojmë deri në fund”.

Portugalia nuk duket të ketë probleme të tilla. Skuadra e Santosit ka shumë lojtarë cilësorë dhe e përballoi të linte jashtë lojtarët si Ronaldo, Joao Cancelo dhe Ruben Neves kundër Zvicrës. Ata ishin titullarë në çdo ndeshje në grup.

Edhe nëse është sërish mes zëvendësuesve, Ronaldo pritet të kalojë pak kohë në fushë. Duke pasur parasysh dramën që e rrethon vazhdimisht, ai me siguri do të jetë një pikë diskutimi çfarëdo që të ndodhë në duelin mes Portugalisë dhe Marokut.