Portieri i parë i Brazilit në Kupën e Botës, Alisson Becker, ishte ende i vogël kur Claudio Taffarel kërceu në të majtën e tij për të larguar topin e goditur nga pika e bardhë prej Daniele Massaros. Taffarel kështu ishte përcaktues në fitoren e “Selecaos” me penallti kundër Italisë në finalen e Botërorit të vitit 1994.
Pothuajse tri dekada pasi ndihmoi Brazilin të fitonte Kupën e katërt të Botës, Taffarel po luan sërish një rol, teksa amerikano-jugorët përpiqen të ngrenë trofeun për herë të gjashtë. Ajo finale në stadiumin “Rose Bowl” në Pasadena përfundoi pa gola dhe pas pritjes së Taffarelit, Carlos Dunga shënoi për brazilianët përpara se Roberto Baggio të qëllonte traversën për t'ia dhënë Brazilit trofeun e parë të Botës që nga viti 1970.
"Unë bërtita ‘Taffarel!’. Është diçka që shënoi jo vetëm fëmijërinë time, por edhe atë të shumë brazilianëve”, tha Alisson, i cili nuk ishte as dy vjeç kur u zhvillua ajo finale.
Në ditët e sotme, Taffarel, me kokë të rruar dhe 56-vjeçar, është trajner i portierëve të Brazilit. Ai kalon ditët duke punuar me Alissonin, me portierin e Manchester Cityt, Edersonin, dhe atë të Palmeirasit, Wevertonin, në Katar. Ndërsa fokusi do të jetë gjithmonë te sulmi i frikshëm i Brazilit, Taffarel ka nën drejtim treshen më të mirë të portierëve në çdo skuadër në Kupën e Botës, ndërsa favoriti përgatitet të luajë kundër Kroacisë në çerekfinale, të premten.
“Ai është referenca për ne”, thotë ylli i Liverpoolit, Alisson, i cili ishte i jashtëzakonshëm në fitoren 4:1 në 1/8 e finales kundër Koresë së Jugut. “Ajo që me të vërtetë më goditi kur fillova të punoj me Taffarelin te Brazili ishte mënyra se si i transmeton njohuritë e tij në mënyrë kaq të natyrshme, pa u detyruar. Ai ka pasur një ndikim të madh në zhvillimin tim si portier”.
I konsideruar gjerësisht si portieri më i madh i Brazilit, Taffarel, ka punuar në stafin e përfaqësueses braziliane që nga viti 2014. Por që nga viti i kaluar ai ka ndarë rolin me atë të trajnerit të portierëve nën drejtimin e Juergen Kloppit në Liverpool.
“Ne donim të krijonim filozofinë tonë të portierit”, tha Klopp kur Taffarel mbërriti në “Anfield Road”.
“Ai ishte një lojtar i klasit botëror. Ne folëm me Alissonin dhe ai ishte mjaft i kënaqur për këtë. Ai e njeh atë për disa vjet”.
Taffarel, i cili gjithashtu luajti në humbjen e Brazilit në finalen e Kupës së Botës 1998, i dha fund karrierës aktive në vitin 2003 për t’u bartur në zejen e trajnerit dy vjet më vonë, duke punuar me shokun e tij të vjetër Gheorghe Hagi te Galatasaray. Atje, nxënësi i tij i parë ishte Faryd Mondragon, kolumbiani që luajti në tri Kupa Botërore.
“Claudio është një person i jashtëzakonshëm, një profesionist i madh. Ai ka teknikë të shkëlqyer me të dyja këmbët, si dhe njohuri të shkëlqyera për pozicionin”, zbuloi Mondragon. “Alisson, Ederson dhe Weverton nuk mund të ishin në duar më të mira. Ata janë me fat që punojnë me të”.
Si trajner, Taffarel ka evoluar së bashku me vetë pozicionin, me portierët që tani duhet të jenë shumë më të mirë me këmbët e tyre sesa në ditët kur ishte lojtar aktiv. Ai shpesh shikon video të trajnerëve të tjerë të portierëve, për të mësuar prej tyre dhe për të përshtatur seancat stërvitore.
“Ne duam t'i përfundojmë ndeshjet pa pësuar gola, sepse kur nuk lejon gola ke më shumë qetësi kur vjen puna për të sulmuar”, tha Taffarel në Doha, pak para se gjermani Manuel Neuer ta kalonte atë si portieri me më shumë paraqitje në Kupën e Botës - 19.
Gjatë rrugës për në Kupën e Botës, Brazili pranoi vetëm pesë gola në 17 ndeshje kualifikuese. Taffarel shfaqi dëshirën për të bërë rotacion në portë, duke aktivizuar të gjithë portierët. Mirëpo, në turneun e Katarit, Alisson është padyshim zgjedhja e parë, me Edersonin që startoi në ndeshjen e fundit të grupit kundër Kamerunit, ndërsa Weverton u inkuadrua në fund të duelit ndaj Koresë së Jugut.
“Ne jemi si një familje ku të gjithë kujdesen dhe respektojnë njëri-tjetrin dhe po marrim rezultate në fushë, gjë që është kryesore”, tha Weverton, i cili në moshën 34-vjeçare është veterani i portierëve të Brazilit në këtë Botëror.