Sport

Botërori i Katarit për Van Gaalin është i mbushur me përqafime, puthje e kërcime

Tri fitore larg titullit që i ka shpëtuar Holandës në tri raste. Dhe trajneri veteran, Louis van Gaal, e ka mbushur Botërorin e tij në Katar me përqafime, puthje dhe kërcime.

Duke udhëhequr përfaqësuesen e vendit të tij për herë të tretë në moshën 71-vjeçare, Van Gaal është trajneri më i vjetër i këtij botërori. Ai gjithashtu mund të jetë më i guximshmi, duke ecur pranë fushës me një kravatë ngjyrë portokalli, kostum të errët dhe këpucë të lustruara.

Van Gaal me Holandën futet në çerekfinalen e së premtes kundër Lionel Messit dhe Argjentinës me një seri prej 19 ndeshjeve pa humbje. I njohur me nofkën “Tulipani i hekurt”, ai ka argëtuar jashtë fushës po aq sa lojtarët e tij në fushë. Van Gaal iu përgjigj lavdërimit nga një gazetar senegalez në një konference shtypi me emocion: “Oh, unë mund të përqafoj. Do të jap një përqafim të madh më vonë”.

Dhe pas konferencës për shtyp ai bëri pikërisht këtë. I bëri shenjë Papa Mahmoud Gueye që ta takonte afër skenës. E vendosi dorën pas krahëve të 28-vjeçarit dhe ia përkëdheli shpinën para se t’ia prekte lehtë edhe fytyrën.

Disa ditë më vonë, Van Gaal u hodh sërish në aksion në konferencën tjetër për shtyp. Ai u ul pranë Denzel Dumfries, i cili shënoi një gol dhe asistoi në dy të tjerë në fitoren 3:1 ndaj SHBA-së, që i çoi holandezët në çerekfinale. Një gazetar nga Aruba e pyeti Van Gaalin se sa krenar ishte për mbrojtësin, i cili ka babanë nga Aruba.

“Dje apo pardje i dhashë një puthje të madhe. Unë do t'i jap atij një puthje të madhe në mënyrë që të gjithë ta shohin”, tha trajneri Van Gaal, i cili u përkul dhe i dha një puthje mbrojtësit të krahut të djathtë.

Pak më vonë Van Gaal i ndoqi lojtarët në një linjë vallëzimi ndërsa mbërrinte në hotelin “St. Regis Doha”, ku po qëndron së bashku me ekipin.

Ishin këto veprime krejt ndryshe nga sjellja e tij pas fitores 2:0 ndaj Katarit, kur një reporter holandez i tha se rezultati nuk ishte i mjaftueshëm.

“Sigurisht, ju mund të jepni mendimin tuaj. Unë nuk jam dakord me ju dhe nuk do të zgjerohem për këtë, sepse mendoj se ju keni një perspektivë të ndryshme për futbollin nga unë”, tha Van Gaal.

Edhe përpara ndeshjes me SHBA-në, Van Gaal e përsëriti kritikën për gazetarët holandezë.

“Nëse më duhet të besoj mediat holandeze, ne nuk do të bëhemi kurrë kampionë bote”, tha Van Gaal. “Në vitin 2014 ishte saktësisht e njëjta gjë. Jashtëzakonisht negative. Tani është përsëri e njëjta gjë. Unë jam mësuar me të dhe mendoj se lojtarët e mi janë mësuar me të, kështu që ne do të vazhdojmë me qetësi”.

Më pas ai shtoi me buzëqeshje në gjuhën angleze: “Ndoshta tani mund të bëni një foto pas kësaj deklarate”.

Van Gaal ka drejtuar Ajaxin, Barcelonën, AZ Alkmaarin, Bayernin dhe Manchester Unitedin, duke fituar shtatë tituj nacional. Por veterani po kërkon titullin e parë të botës për veten dhe Holandën.

Mendësia është thelbësore për të sa edhe taktikat.

“Ai na jep shumë besim, shumë qartësi. Të gjithë e dinë se çfarë duhet të bëjnë”, tha Dumfries. “Ai na mban në këmbë dhe na thotë sinqerisht se çfarë duhet përmirësuar”.

I ulur pranë lojtarit, Van Gaal ndërhyri shpejt me një buzëqeshje: “Nuk është më kot që sollëm Denzelin me vete”.

Van Gaal mori drejtimin e Holandës për herë të parë në vitin 2000 dhe u largua dy vjet më vonë pasi “tulipanët” nuk arritën të kualifikoheshin në Kupën e Botës 2002. Ai u kthye në vitin 2012 dhe i drejtoi holandezët në Kupën e Botës 2014, ku Argjentina mundi Holandën me penallti në gjysmëfinale. Holandezët zunë vendin e tretë me fitore 3:0 ndaj Brazilit mikpritës dhe më pas Van Gaal u largua për herë të dytë. I punësuar në gusht të vitit 2021 për ta zëvendësuar Frank de Boerin, Van Gaal i bëri ftesën e diskutueshme dhe ia mundësoi debutimin portierit 28-vjeçar Andries Noppert, në ndeshjen e parë të Kupës së Botës ndaj Senegalit.

“Për mua ajo që e bën të veçantë Van Gaalin është se kur je menaxher i mirë apo trajner i mirë, atëherë edhe lojtarët që nuk luajnë i bën të kenë një ndjenjë të mirë dhe i motivon të vazhdojnë të luftojnë për një vend në skuadër,” tha Noppert. “Nuk është e lehtë të mos luash ndeshje dhe të mbash fokusin 100 për qind. Me Van Gaalin është ndryshe”.

Holanda ka dallimin prej ekipeve të tjera pasi luajti në disa finale të Kupës së Botës, por nuk arriti të fitojë. Holanda i ka humbur tri finale deri më tani dhe kjo është një plagë që ende iu dhemb tifozëve holandezë.