Sport

Vinicius Junior falënderon Ancelottin për suksesin në Kupën e Botës

Sulmuesi i Brazilit, Vinicius Junior, lavdëroi trajnerin e Real Madridit, Carlo Ancelotti, për suksesin e tij në Kupën e Botës. Vinicius Junior mbërriti në Katar pa e ditur nëse do të kishte një shans për të startuar për Brazilin. Por para ndeshjes çerekfinale të së premtes kundër Kroacisë, askush nuk e vë në dyshim vendin e Viniciusit në formacion apo rëndësinë e tij për ekipin.

Sulmuesi tha se Ancelotti ishte një nga njerëzit që i dha udhëzime përpara turneut më të madh të futbollit.

“Kam biseduar me Ancelottin dhe ai më ka dhënë shumë këshilla për të më ndihmuar të bëhem titullar me Brazilin. Ai më dha shumë besim”, tha të enjten 22-vjeçari Vinicius Junior. “Ai ishte gjithmonë i ashpër me mua kur duhej. Ai është si një baba për mua”.

Vinicius Junior ishte në dyshim shpesh në Real, ndërsa Zinedine Zidane ishte trajner. Por shpejt u stabilizua si titullar me Ancelottin në krye. Sulmuesi brazilian tha se trajneri italian i dërgon gjithmonë mesazhe.

“Ai është i mirë jo vetëm me aspektet teknike të lojës, por edhe me mënyrën se si sillet me lojtarët”, tha Vinicius. “Jam përmirësuar shumë dhe Ancelotti më ka ndihmuar për këtë. Ai dhe Tite janë shumë të ngjashëm dhe flasin shumë me njëri-tjetrin”.

Vinicius, i cili ka një gol dhe dy asistime në tri ndeshjet e Kupës së Botës, tha se mësoi edhe nga mesfushori i Madridit, Luka Modriq, i cili do të jetë një nga kundërshtarët të premten në stadiumin “Education City”. Vinicius tha se pasimi që dha për golin e Lucas Paquetas në 1/8 e finales kundër Koresë së Jugut, duke përdorur pjesën e jashtme të shputës, ishte diçka që e mësoi nga Modriqi në Real Madrid.

“Ai gjithmonë më mëson gjëra, brenda dhe jashtë fushës”, tha Vinicius. “Ai më ndihmon çdo ditë, duke u siguruar që unë jam duke u përmirësuar gjithmonë. Ai është referencë për mua, duke luajtur në një nivel të lartë në moshën 37-vjeçare, kjo është diçka e rrallë. Jam i lumtur që do të luaj kundër tij dhe le të fitojë skuadra më e mirë”.

Vinicius Junior tha se merr këshilla nga sulmuesi Neymar.

“Ai më tha se si Kupa e Botës dallon prej çdo gare tjetër”, zbuloi Vinicius. “Ai më tha këtë dhe e mbaj mend gjithmonë. Dhe kur u lëshua himni kombëtar kuptova se çfarë do të thoshte e gjithë kjo”.

Vinicius Junior ishte ndër lojtarët brazilianë të kritikuar për festimet me vallëzim në Kupën e Botës. Ai ishte në shënjestër prej kohës kur luante me Real Madridin. Por premtoi edhe më shumë vallëzim nëse Brazili vazhdon të ketë suksese në Katar.

“Goli është momenti më i rëndësishëm në futboll, jo vetëm për ata që i shënojnë por për të gjithë vendin. Ne kemi ende shumë festime dhe shpresojmë se mund të vazhdojmë të shënojmë dhe të vallëzojmë deri në finale”, insistoi Vinicius.