Sport

I panjohur para Botërorit, Ramos del në skenë me “hat-trick”

Descriptive Text

Në ndeshjen e tij të parë si titullar te Portugalia, Gonçalo Ramos tregoi se ai ka aftësi të mira - dhe gola - për të zëvendësuar Cristiano Ronaldon. Madje, edhe në Kupën e Botës.

Sulmuesi 21-vjeçar shënoi “hat-trick” të martën, pasi çuditërisht ishte startues kundër Zvicrës në vend të Ronaldos, rekordmenit për më së shumti gola të shënuar në nivelin ndërkombëtar. Portugalia fitoi ndeshjen me shifrat 6:1 dhe kaloi për herë të tretë në çerekfinale të Kampionatit Botëror.

“As në ëndrrat e mia më të çmendura nuk kam menduar të jem pjesë e formacionit të parë për fazën eliminatore”, tha Ramos, i cili edhe u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes.

Ata tre gola dhe festimi i golave me pistoleta e bënë menjëherë Ramosin një nga lojtarët më premtues të këtij sporti. Maroku, i cili do të luajë ndeshjen tjetër me Portugalinë të shtunën për një vend në gjysmëfinale, mund të mos ketë ditur asgjë për Ramos para të martës. Kjo sigurisht ka ndryshuar tani.

Ramos nuk kishte luajtur kurrë për Portugalinë përpara se të zgjidhej në skuadrën e Kupës së Botës muajin e kaluar. Atij iu dha fanella me numrin 26 në ekipin me 26 lojtarë dhe luajti vetëm për disa minuta si zëvendësues i vonshën në fitoret e grupit të Portugalisë ndaj Ganës dhe Uruguait. Ai nuk e kishte asnjë tentim në portë në ato ndeshje.

“Shumica e njerëzve nëpër botë nuk kishin dëgjuar kurrë për të deri pas ndeshjes me Zvicrën”, pranoi mesfushori i Portugalisë, Bruno Fernandes.

Aludimi i parë se vendi i Ronaldos në formacionin bazë mund të jetë në rrezik erdhi të hënën. Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, shprehu zhgënjimin e tij me gjuhën e trupit të yllit të tij prej kohësh, pasi u zëvendësua në humbjen 2:1 ndaj Koresë së Jugut të premten e shkuar. Sigurisht, 80 minuta para fillimit të ndeshjes në stadiumin “Lusail” emri i Ronaldos mungonte në formacionin titullar. Ramos ishte zëvendësuesi i tij. Rezultati përfundimtar e bëri Santosin të dukej më shumë si një gjeni sesa një i çmendur, i cili e la Ronaldon në bankën e rezervistëve. Ramos shënoi herët duke ia dhënë epërsinë skuadrës së tij në minutën e 17-të. Pasimet më pas filluan të rrjedhin, sulmet erdhën në valë dhe konsumuan opozitën zvicerane, duke i lënë ata në dukje të paaftë për të gjurmuar shpejtësinë dhe lëvizshmërinë e lojtarëve si Fernandes, Joao Felix dhe Bernardo Silva. Ramos ishte në qendër të çdo gjëje.

“Gonçalo është më dinamik”, pranoi Santos. “Cristiano aktualisht është një lojtar që është më i fiksuar dhe luan në një zonë më të vendosur”.

Ramos u lidh lehtësisht me një grup bashkëlojtarësh me të cilët mezi ka luajtur, duke u futur në shtyllën e parë për të futur topin nga afër për golin e tij të dytë dhe të tretin e ekipit, menjëherë pas pjesës së parë. Ai krijoi golin e katërt me një pasim për Raphael Guerreiron dhe më pas përfundoi “hat-trickun” e tij me një goditje të shkathët mbi portierin e Zvicrës, Yann Sommer në minutën e 67-të. Shtatë minuta më vonë Ronaldo doli nga bankina dhe zëvendësoi Ramosin në fushë. Ata u takuan më pas në mes të fushës pas vërshëllimës së fundit, me yllin e njohur që e përqafoi pasardhësin e tij të mundshëm. Ramos mbante topin e ndeshjes, dhurata e zakonshme për një lojtar që shënon tre gola. “Hat-tricku” i parë në Kupën e Botës të këtij viti ishte vetëm i pesti në tre turnetë e fundit. Një prej tyre erdhi nga Ronaldo katër vjet më parë, kur ai ishte 33 vjeç, në një barazim 3:3 në fazën e grupeve me Spanjën.

Kur Ramos të kthehet për të luajtur për Benfican në ligën portugeze, ai do të jetë nën radarin e gjitha skuadrave të mëdha. Megjithatë, kishte sinjale kur sulmuesi i ri ngriti nivelin këtë sezon për të zëvendësuar Darvin Nunezin, tani në Liverpool pas një tjetër shitjeje me para të mëdha nga klubi i Lisbonës. E udhëhequr nga golat e Ramosit, Benfica është e pamposhtur si në Portugali ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.

“Është për shkak se njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për cilësinë në ligën portugeze”, tha Fernandes. "Unë mendoj se njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm për Gonçalon dhe cilësitë e tij”.