Sport

Muzgu për Busquetsin, i fundit nga kampionët e Spanjës

Sergio Busquets qëndronte në mes të fushës, me duart në ijë, dhe me një pamje të mërzitur në fytyrën e tij. Ai arriti suksesin më të madh të futbollit me Spanjën dhe tani ishte goditur nga eliminimi i tretë radhazi i ekipit nga një turne i madh me penallti, këtë herë 3:0 nga Maroku pas barazimit 0:0 pas 120 minutave të martën në raundin e 1/8 së finales të Kupës së Botës.

“Ajo që bëmë ishte dominimi i lojës, por na mungonte goli, ky është realiteti”, tha trajneri i Spanjës, Luis Enrique, duke pranuar humbjen pa zemërim apo pikëllim. “Nuk ka kuptim të ndëshkosh veten”.

Tani 34 vjeç, Busquets kontribuoi në eliminimin e Spanjës. Maroku kishte kaluar në epërsi 1:0 në penallti kur Pablo Sarabia qëlloi shtyllën dhe përpjekja e Carlos Solerit u bllokua nga portieri Yassine Bounou, duke mbajtur marokenët përpara 2:0. Portieri i Spanjës, Unai Simon, shpëtoi tentimin e Badr Benoun dhe Bounou u hodh në të djathtë të tij dhe e priti penalltinë e Busquetsit. Achraf Hakimi pasoi me golin e fitores 3:0.

“Është gjithmonë një sfidë. Kësaj radhe nuk morëm asgjë”, tha Busquets. “I humbëm tri penalltitë e para dhe më pas është shumë e vështirë të kalosh tutje”.

Katër vjet më parë Busquets nuk gjuajti në humbjen me penallti ndaj Rusisë, gjithashtu në 1/8 e finales. Vitin e kaluar ai gjuajti por goditi shtyllën, ndërsa Spanja mundi Zvicrën në çerekfinale të Kampionatit Evropian. Një nga një, brezi më i madh i Spanjës është larguar nga përfaqësuesja, dyshja e mbrojtjes Carles Puyol dhe Gerard Pique, portieri Iker Casillas dhe dyshja e mesfushës, Andres Iniesta dhe Xavi Hernandez. Nga kampionët e Evropës 2012 mbeten vetëm Busquets në mesfushën mbrojtëse dhe mbrojtësi i majtë, Jordi Alba. Spanja dhe grupi i saj kryesor i Barcelonës e bënë “tiki-takan” një stil të imituar në mbarë globin dhe ai stil ka jetuar. Spanja e do topin, por kundërshtarët e kanë kuptuar si ta neutralizojnë. Nëse ndeshjet do të zgjidheshin me pasime ose me posedim, Spanja do të ishte rrugës drejt një titulli tjetër. Spanjollët kompletuan 988 nga 1063 pasimet karshi 238 nga 331 për marokenët. Ata kishin 63 për qind zotërimin e topit ndaj 21 për qind për Marokun. Spanja nuk i ngjante vetes as para fillimit të ndeshjes. Të njohur për fanellat e kuqe, spanjollët ishin skuadra vizitore dhe duhej të vishnin fanella alternative, sepse marokenët ishin me të kuqe. Busquets mbante shiritin e kapitenit, ishte lider i Spanjës. Ai doli përmes akademisë “La Masia” të Barcelonës dhe bëri debutimin e tij në ligë në shtator të vitit 2008, rreth 2 muaj e gjysmë pasi Spanja mposhti Gjermaninë për titullin e saj të parë evropian që nga viti 1964. Debutimi i tij me Spanjën ishte atë prill dhe ai ndihmoi Spanjën të fitonte Kupën e Botës të parë në vitin 2010 dhe më pas një tjetër kampionat evropian në vitin 2012. Busquets u zgjodh në ekipin All-Star të Kupës së Botës dhe ekipin e turneut në “Euro 2012”. Ai bëri paraqitjen e tij të 143-të ndërkombëtare kundër Marokut, i treti pas Sergio Ramosit (180) dhe Iker Casillasit (167), dhe me paraqitjet e tij të 17-të në Kupën e Botës ai barazoi ata dy për më së shumti në mesin e spanjollëve.

Luis Enrique dhe disa marokenë u përpoqën të ngushëllojnë Busquetsin. Ai qëndroi në mes të fushës për plot katër minuta përpara se të shkonte për të dhënë një intervistë televizive në fushë. Busquets nuk do të trajtonte të ardhmen e tij te Përfaqësuesja e Spanjës.

“Tani gjëja e rëndësishme është ekipi dhe jo unë”, tha ai. “Është një natë e vështirë. Ne do ta marrim veten dhe do ta përdorim këtë si një përvojë mësimore. Jemi në një dinamikë të mirë, me të rinjtë. Kjo do t'i bëjë ata më të fortë”.