Mesfushori Marcos Llorente nuk pritet të aktivizohet as në ndeshjen e 1/8 së finales që Spanja e luan kundër Marokut në Kupën e Botës.
Mediumet spanjolle kanë raportuar të hënën, se trajneri Luis Enrique ka mbetur i zhgënjyer me Llorenten, i cili para Botërorit shihej si titullar te Spanja.
Megjithatë, ai nuk e ka luajtur asnjë ndeshje deri më tani në turneun e Katarit. Bëhet e ditur se Llorente nuk e ka bindur Enriquen në aspektin e përgatitjes fizike dhe për këtë arsye nuk po merret parasysh nga trajneri.
Spanja deri më tani, i ka luajtur tri ndeshje në Botëror, ku ka shënuar një fitore, një barazim dhe një humbje në kuadër të fazës së grupeve. Duelin e 1/8 së finales ndaj Marokut, Spanja e luan të martën prej orës 16:00.