Sport

Spanja në “gjendje” rikuperimi pas humbjes nga Japonia

Nuk ishte ashtu siç Spanja e kishte imagjinuar kalimin në fazën eliminatore të Kupës së Botës. Spanja e përfundoi fazën e grupeve me humbje dhe duhej të mbështetej te skuadrat e tjera për ta ndihmuar të avanconte. Spanja mbijetoi, por shkon në ndeshjen e 1/8 së finales kundër Marokut me vetëbesim të dëmtuar pas humbjes 2:1 ndaj Japonisë.

“Duhet të rikuperohemi emocionalisht”, tha trajneri i Spanjës, Luis Enrique. “Do të luajmë kundër një prej skuadrave surprizë të Kupës së Botës dhe do të duhet të jemi plotësisht të përgatitur. Kanë mbetur vetëm 16 ekipe në turne dhe duhet të luajmë më mirë. Do të jetë shumë e vështirë”.

Pak prisnin që Spanja do ta kishte kaq të vështirë ta kalonte fazën e grupeve në Katar, pasi e hapi turneun me fitoren 7:0 ndaj Kosta-Rikës. Luajti mirë edhe kundër Gjermanisë, pavarësisht se pranoi golin e barazimit në fund të ndeshjes. Dhe një barazim kundër Japonisë në ndeshjen e fundit të grupit do të kishte mjaftuar për Spanjën që ta fitonte grupin. Por pasi kaloi në atë që Luis Enrique e quajti “modalitet kolapsi” në një hark prej pesë minutash, Spanja ishte në rrezik të një eliminimi të hershëm dhe të turpshëm, të cilin e shmangu falë fitores 4:2 të Gjermanisë ndaj Kosta-Rikës në ndeshjen tjetër të Grupit E. Lojtarët në stol ishin në ankth duke e ditur se nëse Kosta-Rika fitonte ndeshjen tjetër, Spanja do të eliminohej. Luis Enrique tha se do të “kishte pasur një atak në zemër” nëse do ta dinte se në një moment Kosta-Rika ishte në epërsi ndaj Gjermanisë, duke e larguar përkohësisht Spanjën nga vendi i dytë në grup. Ishte një frikë e madhe dhe tani “La Roja” po kalon në “modalitetin e rikuperimit” përpara ndeshjes së saj kundër Marokut, të martën.

“Ne duhet të analizojmë atë që ndodhi dhe të rregullojmë atë që nuk bëmë mirë”, tha Luis Enrique. “Duhet të përpiqemi që lojtarët të gëzohen sërish”.

Spanja po përpiqet të fitojë titullin e parë të madh që nga Kampionati Evropian 2012. Ajo fitoi trofeun e vetëm të Kupës së Botës në vitin 2010 në Afrikën e Jugut. Duke përfunduar e dyta në grup, Spanja shmangi nënkampionen e vitit 2018, Kroacinë, në 1/8 e finales dhe ndoshta kampionin e botës, Brazilin, në çerekfinale dhe Argjentinën e Lionel Messit në gjysmëfinale. Në anën e saj, Spanja tani ka skuadra si Anglia dhe kampionen në fuqi, Francën, të cilat mund të takohen në gjysmëfinale.

“Nuk ka rëndësi, kundërshtarët vazhdojnë të ndryshojnë”, tha Luis Enrique. “Ne donim të përfundonim me fitore dhe në vendin e parë. Nuk ka asgjë për të festuar”.

Trajneri bëri pesë ndryshime në formacion ndaj Japonisë, nga barazimi 1:1 kundër Gjermanisë, duke inkuadruar Alejandro Balden, Pau Torresin, Nico Williamsin, Cesar Azpilicuetan dhe Alvaro Moratan, i cili shënoi në pjesën e parë për golin e tretë në po aq ndeshje në Katar. Azpilicueta, i cili u zëvendësua në pjesën e parë për shkak të lëndimit, asistoi për golin e Moratas. Balde ishte fajtori për barazimin e Japonisë pasi humbi topin pranë zonës së penalltisë.

“Kam konsideruar se këta njëmbëdhjetë ishin më të mirët për këtë ndeshje. Kam besim te të gjithë lojtarët e mi”, tha Luis Enrique. “Por duke parë se si dolën gjërat më pas, ndoshta nuk do të kisha zgjedhur të njëjtit. Tash është e lehtë ta them pasi kemi kaluar tutje dhe duhet të bëhemi gati për Marokun”.