Sport

FIFA sqaron golin e shumëpërfolur të Japonisë

Pas shumë spekulimeve nëse goli i dytë i Japonisë ishte i rregullt apo jo në duelin kundër Spanjës që përfundoi 2:1 në të mirë të japonezëve, një ditë pas ndeshjes, të premten, FIFA dha detaje shtesë.

Sipas videos së publikuar nga FIFA të premten pasdite, shihet se vendimi për golin ishte i rregullt, ndërsa se u pranua pas konsultimit me VAR-in.

Kjo ndeshje i takoi Grupit E. Ao Tanaka shënoi për epërsinë dhe rezultatin final, 2:1.

Ky gol bëri që Gjermania të eliminohej nga Botërori i Katarit, Japonia të kualifikohej tutje nga vendi i parë, ndërsa Spanja nga vendi i dytë.

“Goli i dytë i Japonisë në fitoren 2:1 u shikua nga VAR-i për të vendosur nëse topi ka qenë jashtë. Zyrtarët kanë përdorur teknologjinë dhe imazhet e vijës së portës për të parë nëse topi kishte dalë apo nuk kishte dalë krejtësisht jashtë. Kamerat tjera mund të japin imazhe jo të sakta por në bazë të provave, i gjithë topi nuk kishte dalë jashtë vijës”, shkruhet në dy njoftime të FIFA-s.