Sport

Australia synon një “shok” tjetër në Botëror, ta eliminojë Argjentinën

Qendërsulmuesi i Australisë, Mitchell Duke, luan në divizionin e dytë japonez. Mesfushori Ajdin Hrustiq i Veronas - skuadra e fundit në Serie A të Italisë - është lojtari i vetëm i ekipit që luan në pesë ligat më të mira të Evropës.

Pas mbijetesës së papritur në fazën e grupeve të Kupës së Botës, australianët do të mbështeten edhe një herë në punën ekipore, në vendosmërinë dhe besimin te vetja, kur të përballen me Argjentinën e mbushur me yje në 1/8 e finales.

“Ne nuk kemi presion të vërtetë” tha sulmuesi Mathew Leckie, i cili shënoi golin në fitoren 1:0 ndaj Danimarkës. “Ne vetëm duhet të shijojmë momentin, të shijojmë rastin. Askush nuk pret që ne të fitojmë. Pra, le të tronditim botën”.

Qendërmbrojtësi Harry Souttar, njeriu që do të ngarkohet për të ndalur Lionel Messin në ndeshjen e ardhshme të Australisë, është më i gjati në turneun e Katarit - 198 centimetra. Ai u rikthye së fundmi nga operimi i ligamentit të gjurit, por besimi i tij dhe i skuadrës është ndërtuar ndeshje pas ndeshjeje, ndërsa avancuan nga një grup i vështirë me kampionen në fuqi, Francën dhe gjysmëfinalisten e Kampionatit Evropian, Danimarkën.

“Është 11 kundër 11. Argjentina nuk i ka 11 Messi. Është vetëm një. Ne e kemi parasysh se Argjentina ka një ekip të mbushur me yje. Madje, yje ka edhe në stol, si Paulo Dybala e Lautaro Martinez”, insistoi mbrojtësi i djathtë, Milosh Degenek të enjten. “Gjithmonë e kam dashur Messin dhe mendoj se ai është më i miri që ka luajtur ndonjëherë këtë lojë. Por nuk është nder të luash kundër tij, sepse ai është thjesht një njeri, siç jemi të gjithë ne”.

Paraqitje e Australisë në turneun e Katarit ka qenë një testament për shpirtin e ekipit dhe për të dëshmuar se ata që kishin dyshime gabuan rëndë.

“Askush nuk besoi në ne përveç nesh dhe njerëzve përreth nesh”, tha Degenek .

Është vetëm hera e dytë në gjashtë Kupat e Botës që Australia arrin në fazën e eliminimit. Skuadra e vitit 2006 u mund nga kampionia e ardhshme, Italia, në 1/8 e finales.

Australia u kualifikua për Katar vetëm pas një fitoreje me penallti ndaj Perusë në një ndeshje plejofi ndërkontinental në qershor. Por planifikimi për Kupën e Botës filloi shumë përpara kësaj. Duke, i cili shënoi me një goditje të vështirë me kokë dhe ia siguroi fitoren 1:0 Australisë ndaj Tunizisë, dikur mendoi të bëhej elektricist kur karriera e tij e futbollit ngeci. Pastaj trajneri Graham Arnold i dha atij një shans me ekipin Central Coast Mariners dhe dyshja tani janë ribashkuar tek Australia.

“Natyrisht që kam shumë besim tek ai”, tha Arnold. “Të gjithë flasin se ku luan ai, por kur kalon mbi vijën e bardhë, ai jep 100 për qind për vendin dhe fanellën”.