Sport

Meksika përballet me eliminim të hershëm nga Botërori

Meksika duhet të shënojë shumë gola, madje sipas të gjitha gjasave, për të vazhduar me paraqitje në raundin nokaut të Kupës së Botës.

Meksika ka kaluar në një të tetën e finales në shtatë edicionet e fundit të Kupës së Botës, ndërsa seri kaq të gjatë ka vetëm edhe Brazili. Por në Katar, “El Tri” është i fundit në grupin C para ndeshjes ndaj Arabisë Saudite, që patjetër duhet ta fitojë.

Ndeshja Arabia Saudite – Meksika luhet të mërkurën nga ora 20:00.

Në grupin C udhëheq Polonia me katër pikë, ndërsa nga tri i kanë Argjentina e Arabia Saudite. Meksika e ka vetëm një pikë.

Hera e fundit kur Meksika nuk kishte avancuar nga faza grupore në Botëror ishte në vitin e largët 1978.

Fitorja, megjithatë, mund të mos jetë e mjaftueshme për Meksikën. Asaj i duhet ndihma. I duhet që Polonia të fitojë ndaj Argjentinës së Lionel Messit, në ndeshjen tjetër në grup. Kjo është mënyra më e lehtë për Meksikën. Në të kundërtën, situata është e komplikuar. Nëse Meksika fiton dhe fitore shënon edhe Argjentina, atëherë do të vendosë goldallimi.

Problemi është që Meksika nuk ka gol të shënuar në Katar.

Meksikanët nuk kanë shënuar për 384 minuta në Kupën e Botës. Së fundi kishin shënuar në ndeshjen e dytë në grup në Kupën e Botës 2018 në Rusi.

“Ne besojmë në shanset tona. Ne bazohemi në shanset tona”, ka thënë mesfushori veteran i Meksikës, Andres Guardado. Ai po paraqitet në Kupën e pestë të Botës.

“Qartë se do të mundohemi deri në fund”, ka shtuar ai.

Meksika fillimisht luajti pa gola me Poloninë e më pas pësoi 2:0 nga Argjentina. Meksika nuk është eliminuar në grup që nga turneu në Argjentinë, 44 vjet më parë. Nuk u kualifikua për Botërorin 1982 në Spanjë, ndërsa ishte dënuar për Botërorin 1990 në Itali për shkak se aktivizoi lojtarë mbi moshën e lejuar në turneun U20.

Prej atëherë Meksika ka avancuar në një të tetën e finales në shtatë raste. Por jo më larg. Meksika erdhi në Katar për të luajtur ndeshjen e pestë në Botëror, për herë të parë që kur e organizoi turneun në vitin 1986.

“Në ndeshjen e ardhshme duhet të shënojmë gola aq sa mundemi dhe të mos brengosemi për rezultatin e ndeshjes tjetër”, ka thënë sulmuesi i Meksikës, Henry Martin.

Me mungesën e golave, kritikat për selektorin Tata Martino janë rritur. Disa vendime të tij ishin diskutuar, duke përfshirë atë për të lënë Chichariton jashtë ekipit.

“Do të ketë shumë frustrim nëse nuk avancojmë. Na duhen golat për të fituar. Golat na mbajnë në turne”, ka thënë Martino të martën.

Nuk do të jetë lehtë ndaj Arabisë Saudite, që fitoi 2:1 ndaj Argjentinës së Messit. Ndonëse luajtën me trimëri, arabët mbetën pa pikë ndaj Polonisë, duke pësuar 2:0.

Arabia Saudite kishte luajtur në fazën e dytë në vitin 1994, kur edhe debutoi. Prej atëherë nuk e ka kaluar grupin.

“Do të luajmë deri në sekondën e fundit të turneut dhe nuk do të dorëzohemi”, ka thënë selektori i Arabisë Saudite, Herve Renard.

Arabia do të kërkojë fitore ndaj Meksikës për të avancuar nga grupi. Varësisht nga rezultati në ndeshjen tjetër, mund t’i mjaftojë edhe barazimi.