Arabia Saudite arriti një fitore historike ndaj Argjentinës në Kupën e Botës “Katari 2022” të martën. Arabët e kanë mposhtur ekipin e Amerikës së Jugut – i renditur i treti në ranglistën e FIFA-s – me rezultatin 2:1.
Çelësi i këtij triumfi të Arabisë Saudite, që shokoi gjithë botën e futbollit, pa dyshim se ishte përzgjedhësi Herve Renard. Trajneri francez Renard e mori drejtimin e Arabisë Saudite në vitin 2019 dhe e shtyu drejt një suksesi të paparë.
Trajektorja personale e Renardit ka qenë larg nga ajo e një trajneri të madh. Ai hapat e parë i nisi në qytezën Aix-les-Bains, ndërsa si profesionist luajti gjatë viteve 1980 dhe 1990, si mbrojtës te Cannesi, Stade de Vallauris dhe SC Draguignan. Karriera e tij si lojtar mori fund në vitin 1998 për shkak të një dëmtimi të gjurit. Menjëherë pas kësaj, në moshën 30-vjeçare ai u bë trajner i Draguignan SC, një ekip i vogël në Francën jugore. Ai gjithashtu filloi të punojë si pastrues midis seancave stërvitore dhe përfundimisht themeloi kompaninë e tij të pastrimit.
Në ditët e hershme si trajner, Kupa e Botës ishte ende një perspektivë shumë e largët për Renardin aspirues, shkruan Euronews.
“Ka qenë një ëndërr që nga fëmijëria, por që dukej plotësisht e parealizuar”, ka pranuar Renard.
Në vitin 2004, ai vendosi ta pranonte ofertën e ekipit Cambridge United, që garonte nëpër ligat e ulëta të Anglisë. Megjithatë, Renard u shkarkua pas disa muajve për të vazhduar në Vietnam tek ekipi Nam Dihn, ku gjithashtu u shkarkua brenda një kohe të shkurtër.
Renardit iu kthye fati pas vitit 2010. Pasi punoi si përzgjedhës i disa përfaqësueseve nëpër Afrikë e Azi, francezi e udhëhoqi Zambinë dhe Bregun e Fildishtë drejt sukseseve të mëdha. Ai fitoi me këto dy përfaqësuese titullin e kampionit në Kupën e Afrikës – në vitet 2012 dhe 2015 - duke u bërë trajneri i parë që triumfoi në këtë turne me dy ekipe të ndryshme. Ai prej vitit 2019 është në krye të Arabisë Saudite dhe pas kualifikimit në Kampionatin Botëror “Katari 2022” automatikisht e ka vazhduar kontratën deri në vitin 2027.
Frytet e punës së Renardit erdhën në konsideratë në ndeshjen e parë të turneut të Katarit, kur Arabia Saudite befasoi Argjentinën.
“Të gjithë yjet u rreshtuan për ne”, deklaroi ndër të tjera Renard pas triumfit ndaj Argjentinës. “Ne bëmë histori për futbollin saudit”.
Arabia Saudite feston të mërkurën për suksesin e jashtëzakonshëm në Katar. Fitorja ndaj Argjentinës megjithatë shpresohet të mos mbetet e vetmja. Me Renardin në stol çdo gjë është e mundur.