Sport

Vëllaznimi shtang Pejën në “Karagaç”

KB Peja ka regjistruar edhe humbjen e dytë këtë edicion në Superligën e Kosovës në basketboll. Të shtunën, skuadra pejane u mposht në shtëpi nga Vëllaznimi me shifrat 91:82.

Dueli i luajtur në palestrën “Karagaçi” i takoi xhiros së 11-të në Superligën e Kosovës në basketboll. Për Vëllaznimin, kjo është fitorja e pestë këtë edicion që e ngrit në kuotën e 16 pikëve.

Basketbollistët e Vëllaznimit kanë treguar paraqitje të mirë në duelin ndaj Pejës, që kishte epërsi deri në nëntë pikë.

Vëllaznimi ishte më i mirë se Peja në çerekun e parë dhe dy periudhat e fundit, derisa Peja arriti ta fitojë vetëm dhjetëminutëshin e dytë.

Pesë basketbollistë të Vëllaznimit, e mbyllën ndeshjen në Pejë me pikë dyshifrore. Anthony Adger ishte më i dalluari me 21 pikë të shënuara, i përcjellë nga Atik Koshi (19), Jordan Harris (17), Emmanuel Omogbo (15 pikë e 14 kërcime) e Arbër Sinani (11).

Skuadrën e Pejës në këtë përballje nuk e ndihmuan as 35 pikët e amerikanit Jalen Tate, që ishte edhe më efikasi. Rodney Purvis pati 13 pikë e shtatë asistime.