Dushku: E kemi përjetuar rëndë vendimin për pezullimin e Ligës Unike

Ndonëse janë luajtur tri ndeshje, Liga Unike nuk do të vazhdojë. Nuk do të vazhdojë të paktën për një kohë, ndërsa e ardhmja e kësaj lige të themeluar me shumë bujë e synime, mbetet shumë e paqartë.
Të premten mbrëma është vendosur që Liga Unike për basketbollistë të pezullohet. Ndërkohë, basketbollistet do ta vazhdojnë garimin në Ligën Unike.
Te vendimi për pezullim erdhi pasi Tirana dhe Teuta e Durrësit vendosën të tërhiqen. Kështu “Liga që i bashkon shqiptarët” mbetet pezull dhe në dyshim të madh nëse do të vazhdojë. Aktualisht në ligë janë katër skuadra nga Kosova e dy nga Shqipëria. Gjatë javës janë luajtur ndeshjet Apolonia – Ponte Prizreni dhe Kamza – Peja. Më herët ishte luajtur ndeshja Peja – Ponte Prizreni, por që nuk i takonte xhiros së parë.
Vendimi për pezullim është pritur rëndë nga drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës. FBK-ja dhe Federata Shqiptare e Basketbollit kanë themeluar ligën që për synim kishte zhvillimin e basketbollit në të dy vendet shqiptare. Themelimi ishte bërë me bujë të madhe, por telashe ka pasur thuajse nga fillimi, kryesisht për shkak të organizimit fare të zbehtë të klubeve nga Shqipëria.
Vendimi për pezullim erdhi pas një takimi të mbajtur në Tiranë. Në takim ishte edhe Elvira Dushku, sekretare e përgjithshme e FBK-së dhe anëtare e Bordit drejtues të Ligës Unike. Ky organ mori vendimin për pezullim.
“Sot kemi pasur takim disaorësh me klubet e Shqipërisë, femra e meshkuj. Ekipet e femrave ishin tejet falënderuese për mundësinë e dhënë për të luajtur në një ligë të përbashkët që e ka një mision përtej vlerave sportive. Dhe janë shumë të gatshme për të vazhduar. Ekipet e meshkujve si Apolonia dhe Kamza, gjithashtu e vlerësuan njëjtë, si shumë të rëndësishme. Ndërkaq, Tirana ka vendosur që të fokusohet në kampionatin e Shqipërisë për ta fituar titullin dhe të mos humbas energji në Ligën Unike. Teuta i pati disa kërkesa të cilat ne ia plotësuam, por sërish u tërhoq. Tirana dhe Teuta një javë më parë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Ligën Unike. Këtë e bënë me shkrim”, ka treguar Dushku për KOHËN.
Në FBK janë të dëshpëruar që projekti në të cilin kanë investuar shumë po mbetet pezull.
“Për ne kjo është shumë e dhimbshme. Si FBK kemi punuar me mish e me shpirt për ta zhvilluar këtë ligë. Na ka udhëhequr emocioni patriotik, por edhe kemi dashur të bëjmë diçka të mirë dhe që do të ketë vazhdimësi. Personalisht e kam përjetuar shumë rëndë këtë vendim. Por ka qenë i domosdoshëm që të merret. Jemi shumë të mërzitur. Por duhet të vazhdojmë tutje”, ka shtuar Elvira Dushku.
Se çka do të bëhet me Ligën Unike, aktualisht nuk dihet. Kjo Ligë ka nisur edicionin e tretë, ndërsa i pari ishte zhvilluar në formë turneu.
Teuta e Tirana kanë refuzuar të vijnë këtë javë në Kosovë për të luajtur ndeshje. Teuta kishte refuzuar të vijë edhe për të luajtur Superkupën Mbarëkombëtare. Dhe përfundimisht kanë vendosur që të tërhiqen. Më herët ishte tërhequr edhe Vllaznia e Shkodrës, që ishte zëvendësuar me Apoloninë e Fierit.
“Duhet ende të shqyrtojmë sepse nuk e kemi pritur këtë mosgatishmëri. Do ta shqyrtojmë në të ardhmen”, ka shtuar Dushku.
Pezullimi, që mund të pasohet me anulim, do të ketë ndikim edhe në orarin e Superligës së Kosovës. FBK-ja aq peshë i kishte dhënë Ligës Unike, sa që kishte vendosur që rezultatet e saj të barten në Superligë. Për këtë arsye edhe ishin shtyrë disa ndeshje. Tani orari do të pësojë ndryshime, ndonëse vendimi përfundimtar për Ligën Unike mbetet i paqartë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.