Sport

Futboll, Prishtina kalon në 1/8 e finales pa lojë

FC Prishtina - stadiumi i zbrazet - topa

Skuadra e Prishtinës është kualifikuar në 1/8 e finales të Kupës së Kosovës në futboll, me kërkesën e Vëllaznimit për ta anuluar ndeshjen e planifikuar të luhet të enjten. Kështu, ka njoftuar ekipi nga kryeqyteti të martën në Facebook.

Dueli mes Vëllaznimit dhe Prishtinës, ishte paraparë të zhvillohej të enjten në Gjakovë prej orës 12:00 dhe atë në kuadër të 1/16 të finales të Kupës së Kosovës.

Mirëpo, deri te anulimi i këtij dueli dhe avancimi i Prishtinës në fazën tjetër, ka ardhur me kërkesën e Vëllaznimit për anulimin e ndeshjes, me arsyetimin se ekipi ndodhet në gjendje jo të mirë financiare. Vëllaznimi ishte paraparë si kundërshtari i parë i Prishtinës për këtë edicion sa i përket Kupës që është trofeu i dytë më i rëndësishëm në Kosovë. Prishtina e ka fituar Kupën e Kosovës shtatë herë, për herë të fundit në edicionin 2019/2020.