Pak lojtarë mbajnë mbi shpatulla shpresat e një vendi të tërë si Son Heung-min. Tifozët e futbollit në Korenë e Jugut shpresojnë që Son të jetë i aftë për të luajtur në Kupën e Botës që fillon më vonë këtë muaj. Mund të ndodhë që, i rikuperuar plotësisht ose jo, një nga emrat më të mëdhenj të sportit aziatik të shkojë në Katar. Federata e Futbollit e Koresë së Jugut është optimiste se Son do të jetë i aftë për ndeshjen hapëse të Grupit H kundër Uruguait, më 24 nëntor.
Son pësoi një frakturë afër syrit të majtë pas një përplasjeje me mbrojtësin Chancel Mbemba, ndërsa po luante për Tottenhamin kundër Marseillet në Champions. Ai menjëherë është detyruar t’i nënshtrohet operimit, kurse nuk ka afat kohor për rikuperimin e tij. Son fitoi Këpucën e Artë të Premier Leagues sezonin e kaluar. Ai është gjithashtu sulmuesi kryesor i Koresë së Jugut me 35 gola.
Koreja e Jugut paraqitet në Kupën e Botës së dhjetë radhazi, kurse bën pjesë në Grupin H së bashku me Portugalinë, Uruguain e Ganën.
Pa kapitenin 30-vjeçar vështirë se mund ta kalojë grupin. Grupi aktual i lojtarëve është padyshim më i miri që Koreja e Jugut ka pasur ndonjëherë. Son mbështetet nga disa lojtarë në të 20-at dhe në fillim të 30-ave që kanë minuta të rregullt në futbollin evropian. Kritikët e trajnerit të Koresë së Jugut, Paulo Bento, thonë se ai ka një stil të ngurtë loje që është tepër i varur nga Son dhe ndonjëherë përpiqet të maksimizojë aftësitë e tij.
Shokët e përfaqësueses kanë shprehur shqetësimet e tyre për yllin e padiskutueshëm aziatik. Mesfushori Kwon Chang-hoon humbi Kupën e Botës 2018 për shkak të një dëmtimi dhe e kupton se çfarë po kalon Son.
“Të gjithë janë të shqetësuar për Heung-min”, tha Kwon. “Gjithçka që mund të bëjmë është të marrim lajmet nga larg dhe të gjithë po lutemi që Heung-min të shërohet shpejt”.
Lojtarët vendës të Koresë së Jugut dhe ata aktivë gjetkë në Azi janë në një kamp stërvitor në Paju, në veri të Seulit, në përgatitje për ngrohjen përfundimtare kundër Islandës më 11 nëntor. Trajneri Paulo Bento do të publikojë listën prej 26 lojtarëve më 12 nëntor, ndërsa skuadra është planifikuar të niset për në Katar më 14 nëntor.
Fuqia aziatike
Katari shënon paraqitjen e 11-të të Koresë së Jugut në Kupën e Botës dhe të dhjetën radhazi. Koreja e Jugut ka arritur në raundet e eliminimit vetëm dy herë - duke prekur gjysmëfinalen në shtëpi në vitin 2002 dhe 1/8 e finales në turneun e vitit 2010 në Afrikën e Jugut. Koreja e Jugut i kaloi kualifikimet aziatike, por është dukur e dobët në miqësoret e fundit, duke përfshirë barazimin 2:2 kundër Kosta Rikës dhe një fitore të mundimshme 1:0 ndaj Kamerunit në shtator. Disa kanë kritikuar Federatën e Futbollit të Koresë së Jugut për dështimin për të aranzhuar ndeshje me kundërshtarë më të fortë dhe për vendimin për të luajtur të gjitha miqësoret që nga qershori në shtëpi.
Ecuria e Koresë së Jugut në Kupën e Botës 2018 përfundoi në fazën e grupeve. Goli i vonuar i Sonit mbylli një fitore 2:0 ndaj Gjermanisë, në ndeshjen e fundit të grupit, për të eliminuar kampionen në fuqi. Por jug-koreanët nuk arritën të avancojnë.
Eksperimentimi
Që kur mori përsipër Korenë e Jugut në vitin 2018, Bento ka eksperimentuar me partnerë të ndryshëm sulmi për t'u përshtatur me Sonin. Dhe tani duket se do të ketë problem në këtë aspekt, pasi ende asgjë nuk është e sigurt për sulmuesin e Tottenhamit. Hwang Ui-jo, sulmues i klubit grek Olympiacos, ofron një tjetër golashënues natyral në formacion. Por Hwang nuk i krijon hapësirë Sonit siç mundet Cho Gue-sung i Jeonbuk Hyundai, me aftësinë e tij për të fituar topa në ajër. Nëse Bento vendos të tërhiqet dhe të forcojë presionin në mbrojtje kundër Uruguait ose Portugalisë, ai mund të bëjë eksperiment tjetër në sulm dhe të fokusohet në shpejtësinë e lojtarëve. Hwang Hee-chan i Wolverhamptonit dhe Lee Jae-sung i Mainzit mund të startojnë në krahë, ndërsa Hwang In-beom i Olympiacosit do të vendoset në mesfushë. Bento dëshiron që mbrojtësit e tij të shtyjnë në mënyrë agresive përpara dhe t'i japin gjerësi sulmit. Por hapësira që ata lënë pas ka krijuar probleme që Koreja e Jugut është përpjekur t'i rregullojë. Jung Woo-young, veteran i klubit të Katarit, Al Saad, shpesh aktivizohet si mesfushor defensiv.
Bento të paktën ka një çift të qëndrueshëm mbrojtës. Kim Min-jae, i cili po shkëlqen në sezonin e tij të parë me Napolin, sjell një kombinim të rrallë të përmasave, forcës dhe shpejtësisë. Partneri i tij, Kim Young-gwon, është një nga lojtarët më me përvojë në ekip.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.