Sport

Ekuadori mbetet në Botëror pas vendimit të CAS-it

Përfaqësuesja e Ekuadorit ka mbajtur vendin në Kupën e Botës “Katari 2022”, por do t'i hiqen tri pikë në kualifikimet për turneun e vitit 2026 për shkak të një dokumenti fals që është përdorur për të marrë një pasaportë për një lojtar të lindur në Kolumbi, ka vendosur të martën gjykata më e lartë e sportit.

Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) vjen 12 ditë përpara se Ekuadori të luajë kundër Katarit në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës dhe shuan shpresat e Kilit dhe Perusë, të cilët kishin apeluar për të zëvendësuar rivalin e tyre amerikano-jugor në këtë turne.

Kili dhe Peruja kishin argumentuar se Ekuadori përdori një lojtar pa pasur të drejtë në tetë ndeshje kualifikuese dhe duhej të përjashtohej nga Kupa e Botës. Por gjyqtarët e CAS-it thanë se mbrojtësi i Ekuadorit, Byron Castillo, kishte të drejtë të luante sipas rregullave të FIFA-s, si në kampanjën kualifikuese ashtu edhe në Kupën e Botës në Katar.

Megjithatë, gjyqtarët thanë gjithashtu se Castillo kishte lindur në Kolumbi dhe se informacioni i rremë në lidhje me datën dhe vendin e lindjes së tij ishin përdorur për të marrë një pasaportë ekuadoriane.

CAS vendosi një gjobë prej 100 mijë frangash zvicerane për Federatën e Futbollit të Ekuadorit dhe urdhëroi heqjen e tri pikëve në grupin kualifikues të Amerikës së Jugut për kualifikimet e Kupës së Botës 2026.