Sport

Grupi G: Zvicra ka Xhakën e Shaqirin, por edhe lojtarë të tjerë prej të cilëve pret shumë

Perfaqesuesja e Zvicres ne futboll

Në një periudhë kur penalltitë janë shpeshtuar në Kupën e Botës për shkak të rishikimit të situatave, Përfaqësuesja e Zvicrës mund të mbështetet në portierin Yann Sommer. Lista e lojtarëve të cilëve ua ka pritur penalltitë portieri i Zvicrës në dy vjetët e fundit në ndeshje zyrtare, është impresive: Kylian Mbappe, Sergio Ramos dy herë, Jorginho, Rodri Hernandez, Tomas Soucek.

Pritja e gjuajtjes së Mbappes ishte momenti më i mirë për Sommerin. Ishte triumfi në penallti ndaj kampiones së botës, Francës, në 1/8 e finales së Kampionatit Evropian, vitin e kaluar. Penalltia e pritur ndaj Jorginhos është arsyeja pse Zvicra do të udhëtojë në Katar dhe Italia do të qëndrojë në shtëpi. Sommer e kuptoi mesfushorin që ka teknikë të ngadalshme dhe kërcim pak para ekzekutimit të penalltisë, në ndeshjen kualifikuese që përfundoi 0:0. Dy muaj më vonë në Romë, Jorginho e ndryshoi stilin dhe nga penalltia e minutës së 90-të gjuajti mbi portën e Sommerit. Ndeshja u mbyll 1:1 duke i mundësuar Zvicrës ta fitonte grupin dhe duke e dërguar Italinë në plejof, ku u mposht. Televizioni zviceran e pasqyroi krenarinë shtetërore në Sommerin, kur ai priti gjuajtjen e Soucekut në shtator, në ndeshjen e Ligës së Kombeve.

“Yann është vrasësi numër 1 i penalltive në futbollin evropian”, kishte thënë komentatori.

Një rekord prej 29 penalltive ishin akorduar në Kupën e Botës 2018, ku rishikimet e videove nga gjyqtarët bën që të lëshohen pak incidente. Numri më i madh në të kaluarën ishte 18 penallti në një Kupë të Botës me 32 ekipe. Për Sommerin do të jetë paraqitja e tretë në Kupë të Botës dhe e dyta si portier i parë. Ai ka zhvilluar 76 ndeshje për Zvicrën. Sommer, i cili do të jetë 34-vjeçar një ditë para finales së Botërorit, e nisi karrierën te Baseli, por ai po e kalon sezonin e nëntë në Bundesligë, te Borussia Moenchengladbachu. Përgatitjet e tij për Katar janë ndërprerë nga një lëndim në nyjën e këmbës së majtë, të pësuar më 18 tetor. Por, Sommer pritet të jetë i gatshëm për Botëror.

Me Yakinin, Zvicra ka ndryshuar

Murat Yakin u emërua përzgjedhës në mesin e kualifikimeve, në gusht të vitit 2021, kur ai ishte duke e udhëhequr klubin e rangut të dytë të futbollit zviceran, Schaffhausen. Paraardhësi i tij, Vladimir Petkoviq, pasi shkoi deri në çerekfinale të “Euro 2020”, u prezantua te klubi francez, Bordeaux. Brenda disa javësh, Yakini e udhëhoqi Zvicrën drejt barazimeve ndaj kampiones së Evropës, Italisë – rezultate të cilat i mundësuan kalimin direkt në Kupë të Botës si fituese e grupit. Yakini luajti 49 ndeshje për Zvicrën si qendërmbrojtës dhe udhëhoqi Baselin drejt dy titujve të ligës.

Reparti i sulmit

Zvicra është stabile në mbrojtje me Manuel Akanjin e Manchester Cityt dhe duket e rrezikshme në sulm, me dy sulmues të rinj që kanë pasur sezon impresiv – Breel Embolo dhe Noah Okafor. Në moshën 25-vjeçare Embolo po hyn drejt turneut të katërt madhor dhe ndoshta të parin si zgjedhje e parë në sulm. Ai shënoi golin e fitores kundër Spanjës dhe Republikës së Çekisë në ndeshjet e shtatorit në Ligën e Kombeve dhe shpejt është përshtatur në klubin francez Monaco, pasi u largua nga Moenchengladbachu.

Okafori shënoi në tri ndeshje rresht në Ligën e Kampionëve për skuadrën austriake, Salzburg. Me lidhje familjare nga Kameruni dhe Nigeria, Embolo dhe Okafori shfaqin rrënjët e ndryshme në skuadrën e Zvicrës.

Rimeçi me Serbinë

Lidhjet e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit me trashëgiminë e tyre shqiptare ishin të qarta në festimet e tyre pasi shënuan në fitoren 2:1 ndaj Serbisë në Kupën e Botës “Rusia 2018”. Zvicra dhe Serbia do të takohen sërish në Katar në kuadër të Grupit G, më 2 dhjetor. FIFA gjobiti Xhakën dhe Shaqirin për veprimet e tyre me shqiponjën dykrenare katër vjet më parë dhe një përsëritje ndoshta nuk ka gjasa të ndodhë në Katar. Gjithashtu, nuk ka gjasa që lojtarët dhe tifozët e Serbisë ta kenë harruar atë festë të Xhakës e Shaqirit.

Zvicra do të përgatitet për tri ndeshjet e saj në Grupin G duke u përballur me Ganën – një kundërshtar i mundshëm në 1/8 e finales - në Abu Dabi më 17 nëntor.

Përveç Serbisë, Zvicra do të luajë edhe me Kamerunin dhe Brazilin në fazën e grupeve në Katar.