Sport

Dervishaj shpall kandidaturë për kryetar të Federatës së Volejbollit

Bujar Dervishaj është i gatshëm të lërë gjithçka që ka ndërtuar në Zvicër për të marrë drejtimin e Federatës së Volejbollit të Kosovës. Dervishaj thotë se ka nivel profesional për të qenë i pari i volejbollit kosovar.

Dervishaj jeton dhe vepron në Zvicër, por insiston se i njeh mirë rrethanat e sportit të volejbollit në Kosovë. Ai vlerëson se organizimi i FVK-së nuk është profesional.

Por, kryetari aktual i FVK-së, Bahri Gjinovci, thotë se nuk është koha e zgjedhjeve.

Volejbolli është prej sporteve ku thuajse vazhdimisht ka pakënaqësi të theksuara.

“Eksperienca ime profesionale në volejboll nuk ka konkurrencë. Flas pesë gjuhë, kam rrjet në të gjithë Evropën e botën. Ai i cili e do këtë sport me zemër, atëherë duhet të mbështetë kandidatin që po ashtu e do këtë sport me zemër e pa hile. Premtoj punë profesionale me gjeneratat e reja, neutralitet dhe transparencë maksimale me gjithë komunitetin e volejbollit. Organizimi nuk është profesional i komisioneve të federatës dhe e kanë të pamundur të vendosin pa ndërhyrje të tjerëve”, ka thënë Dervishaj për KOHËN.

Dervishaj tregon për periudhën e tij si volejbollist e po ashtu si udhëheqës.

“Momentalisht jam udhëheqës i qendrës nacionale të volejbollit në Zvicër, ndërsa po ashtu jam drejtor sportiv i ekipit profesional këtu në Zvicër, Schoenwerd. Karrierën si lojtar e kam nisur në Universitetin e Prishtinës. Jam i lindur në Prishtinë. Si volejbollist kam luajtur në Greqi dhe Gjermani. Kam diplomuar në akademinë psikologjike të Zuerichut si trajner mental. Djali im luan për përfaqësuesen e Gjermanisë”, është prezantuar Dervishaj për ata që nuk e njohin. Ai vlerësohet prej personaliteteve të volejbollit kosovar, ndonëse jeton në Zvicër.

Bahri Gjinovci u zgjodh në mars të vitit 2021 kryetar i FVK-së për mandat 4-vjeçar. Ai thotë se mashtrohet secili person që tenton të gjejë një mënyrë tjetër për të aplikuar për kryetar të FVK-së. Sipas tij, zgjedhjet janë të përcaktuara me cikël olimpik nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe FVK-ja.

“Besoj e dini kur hapen aplikimet për kandidatët për kryetar. Janë ciklet e zgjedhjeve te përcaktuara nga KOK-u dhe Federata e Volejbollit të Kosovës ka kuvendin e vet, si organi më i lartë. Kushdo qe mundohet të aplikojë forma të tjera, vetëm mashtrohet”, ka thënë Gjinovci për KOHËN.

Federata që ai drejton është e dyta për nga kategorizimi. Pra, është pas xhudos. Edhe për kategorizimin e volejbollit ka pasur ankesa.

“Do të ishte jomodeste të bëjë vlerësim për veten. Nëse u duhet për klikime e ‘showbiz’, mund ta jap edhe një mendim të atij kalibri, që megjithatë është larg asaj çka kemi ndërtuar e çka po synojmë të ndërtojmë. Në këtë mes, megjithatë, po vërehen sinjale pozitive, sepse po flitet për volejbollin edhe pse shumë më pak proporcionalisht me sukseset e aktivitetet tona. Kushdo që ia do të mirën volejbollit, hapi i parë është ta shohim afër parketit dhe duke e mbështetur drejtpërdrejt e jo nga kolltukët të japin ‘ide’. Puna ime vlerësohet nga ata që më kanë votuar. Pyeteni secilin dhe e keni përgjigjen çka mendon një shumicë dërrmuese për volejbollin aktual, ose për t’ua lehtësuar punën, shikoni renditjen ku gjendet volejbolli në kategorizim”, ka thënë Gjinovci

Rregullorja për kategorizimin e sporteve parasheh disa kritere si: organizimi i garave ndërkombëtare në Kosovë, rezultatet e arritura në garat ndërkombëtare, masiviteti, statusi i sportit, gjithëpërfshirja, popullariteti, tradita e disa kritere të tjera. Por, në fund është vlerësimi i komisionit që mund të bëjë dallimin.

Kategorizimi bëhet në bazë të dokumentacionit që dorëzojnë federatat sportive. Dhe favorizimet nuk përjashtohen. Përfaqësueset dhe klubet e volejbollit nuk kanë ndonjë të arritur në ngjarje të mëdha evropiane dhe botërore.

FVK-ja njihet edhe për faktin se i kushton rëndësi të madhe volejbollit në rërë.