Sport

Besa e kalon pengesën e parë evropiane

Besa Famgas e ka vazhduar momentin e mirë në hendbollin kosovar. Pasi Përfaqësuesja e hendbollisteve të shtunën siguroi kalimin në raundin e dytë të kualifikimeve për Botëror, hendbollistët e Besës të dielën u kualifikuan në raundin e tretë të Kupës Evropiane.

Kupa Evropiane është niveli i tretë i garave kontinentale për klube, ndërsa skuadra pejane disa herë ka arritur deri në këtë fazë. Por deri më tani nuk ka shkuar më larg.

Besa në raundin e dytë të Kupës Evropiane e ka eliminuar Helsinkin e Finlandës. Para një jave në Finlandë, Besa kishte pësuar me një gol dallim, 28:27. Ndërkohë të dielën në “Karagaçi” në Pejë fitoi me tri gola dallim, 35:32.

Ndeshjen më mirë e nisën finlandezët që kishin epërsi prej një goli deri në minutën e 15-të. Më pas pejanët shfaqën më shumë dhe mbajtën epërsi prej tri golave deri në fund të pjesës së parë. 18:15 ishte rezultati pas pjesës së parë. Epërsia e Besës në pjesën e dytë shkoi deri në pesë gola, ndërsa rezultati në fund ishte 35:32.

Kapiteni Egzon Gjuka u dallua me nëntë gola. Nikola Prce i realizoi shtatë gola, ndërsa spanjolli Victor Alonso i kishte gjashtë. Kroati nga Bosnja, Prce, është edhe trajner i skuadrës.

Besa është skuadra e vetme kosovare e hendbollit që këtë edicion kalon kundërshtar në skenën evropiane. Në Kupën Evropiane, përkatësisht në nivelin e tretë, janë paraqitur edhe katër skuadra të tjera. Te hendbollistët pengesat e para nuk kanë mundur t’i kalojnë Kastrioti i Ferizajt dhe Rahoveci. Kastrioti ka nisur në raundin e parë dhe është ndalur në atë raund. Ndërkohë Rahoveci në debutim nisi në raundin e dytë dhe u eliminua nga kampioni i Çekisë, Karvina. Ndeshja e dytë u luajt të shtunën mbrëma në Çeki.

Te hendbollistet, Istogu dhe Ferizaj janë ndaluar në raundin e dytë të Kupës Evropiane.