Fillimi impresiv i sulmuesit Andi Zeqiri te skuadra e Baselit mund t’ia garantojë atij një vend te Përfaqësuesja e Zvicrës për Kampionatin Botëror, “Katari 2022”. 23-vjeçari që u huazua te Baseli para fillimit të këtij sezoni nga Brightoni ka shënuar shtatë gola në 19 paraqitje për ekipin zviceran. Në një intervistë për uebfaqen zyrtare të Brightonit, Zeqiri ka thënë se është i kënaqur me formën e tij te Baseli, me të cilën synon të vazhdojë deri në fund të sezonit.
“Po ndihem mirë. Po e shijoj lojën time, veçanërisht duke qenë në vendin tim. Unë dua të vazhdoj me këtë formë deri në fund”, tha Zeqiri, i cili pranon se ka pritur shpërthimin e tij në kampionatin zviceran, të cilin e njeh shumë mirë.
“Kur luani për një klub të madh si FC Basel, i cili nuk është i famshëm vetëm në Zvicër, por edhe në Evropë, ju dëshironi të keni më shumë pikë dhe dëshironi të jeni më lart në tabelë. Por ne po japim maksimumin çdo ditë për ta bërë një sezon të mirë. Jemi duke luftuar dhe kemi besim sepse kemi një ekip të mirë. Unë vazhdoj me shokët e mi dhe ne të gjithë duam të bëjmë më të mirën që mundemi për këtë klub. Duke u kthyer në Zvicër, e dija tashmë nivelin dhe çfarë të prisja, po e shijoj. Është një klub i mirë me ambiente të shkëlqyera dhe një trajner të mirë”.
Ai ka pranon se forma e mirë që po e tregon te Baseli mund t’i bëjë vend te Zvicra për Botërorin e Katarit, i cili nis më 20 nëntor. Zvicra ka arritur në 1/8 e finales në tre prej katër Botërorëve të fundit, por në këtë turne është pjesë e një grupi të vështirë, të cilin e përbëjnë edhe Brazili, Serbia e Kameruni.
“Në çdo Botëror ka surpriza, ndonëse grupi nuk është e lehtë”, pranoi Zeqiri. “Të gjithë duan të luajnë në Botëror dhe më duhet të pranoj se e kam në mendje një gjë të tillë. Por, gjëja më e rëndësishme është që të fokusohem te Baseli dhe të vazhdoj me paraqitje të mira”, shtoi Zeqiri. “Shpresoj të kem karrierë të gjatë dhe synime që do t’i arrijë, jo vetëm Kupën e Botës”.