Kontinenti i ri, por problemi i njëjtë për trajnerin Herve Renard. Francezi po e udhëheq një ekip tjetër në Kupën e Botës - Arabinë Saudite pas Marokut më 2018 - dhe përsëri shorti nuk ka qenë i mirë për të. Arabia Saudite hap turneun e Katarit kundër Lionel Messit dhe Argjentinës.
“Ne kemi një grup të vështirë ndeshjesh, por si trajner apo lojtar ju ëndërroni të kualifikoheni në Kupën e Botës dhe të përballeni me më të mirët”, tha Renard. “Ekipet më të mira në botë vijnë gjithmonë me synimin për ta fituar atë, por gjithmonë ka befasi. Kur je një nga skuadrat më të vogla në turne, duhet të mbështetesh në rezultatet befasuese”.
Pas përballjes me Argjentinën, Arabia Saudite do të përpiqet të përmbajë Robert Lewandowskin dhe Poloninë, përpara se të përfundojë ndeshjen e Grupit C kundër Meksikës. Maroku u eliminua herët në Rusi katër vjet më parë me Renardin në krye, në një grup që përfshinte Portugalinë dhe Spanjën.
Në krye të ekipit
54-vjeçari Renard është i vetmi trajner që ka udhëhequr dy përfaqësuese të ndryshme drejt triumfit në Kupën e Afrikës: Zambinë në vitin 2012 dhe Bregun e Fildishtë tre vjet më vonë. Udhëtimi i tij ka marrë kthesa të pazakonta. Nga fundi i karrierës së tij si lojtar, Renard punoi si portier për të përballuar jetesën dhe përfundimisht themeloi kompaninë e tij të pastrimit, ndërsa merrte licencat për trajner. Renard ndihmoi Marokun të kualifikohej në Kupën e Botës për herë të parë në 20 vjet, por ai u tërhoq pas një eliminimi të papritur nga Kupa e Afrikës në vitin 2019. Menjëherë pas kësaj erdhi një telefonatë nga Lindja e Mesme. Sauditët shpenzojnë bujarisht përmes fondit të pasurisë sovrane të mbretërisë në një sërë sportesh dhe Renard pranoi ofertën e mirë. Arabia Saudite nën Renardin u kualifikuan në Botëror nga pozita e parë në grup, përpara Japonisë dhe Australisë për të arritur për herën e gjashtë në këtë turne. Trajneri i Australisë, Graham Arnold, tha se sauditët shpesh anashkalohen, por shtoi s e “ata kanë disa lojtarë vërtet të mirë”.
Mungesa e golave
Sulmuesi i krahut, Salem Aldawsari, do të jetë në qendër të vëmendjes në Katar, pasi ai shënoi golat kyç në kampanjën kualifikuese. Në Rusi katër vjet më parë, ata u mposht nga rusët 5:0 përpara se të humbnin ndaj Uruguait 1:0. Ndërsa, në ndeshjen e fundit triumfoi ndaj Egjiptit duke i dhënë fund një serie prej 12 ndeshjesh pa fitore në Kupën e Botës në pesë paraqitje në turne. Megjithatë, shënimi i golave ka qenë një problem kohët e fundit. Skuadra ka dalë bosh në katër miqësore radhazi. Arabia Saudite ka arritur në 1/8 e finales vetëm një herë në Botëror - në vitin 1994 kur humbi 3:1 nga Suedia në Dallas. Më pas u kualifikua për tre Botërorët e ardhshëm, por mungoi në vitin 2010 dhe 2014.
“Sa më shumë kohë të kalojmë së bashku përpara Kupës së Botës, aq më mirë”, insistoi Renard. “Është një mundësi e vlefshme për të gjithë ne që të jemi sa më të gatshëm që të mundemi”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.