Skuadra e Malishevës po synon t’i kthehet fitores në shtëpi pas një kohe shumë të gjatë. Malisheva këtë edicion i ka tri fitore, kurse njërën prej tyre e ka arritur në stadiumin “Liman Gegaj”. Ishte xhiroja e tretë kur Malisheva triumfoi ndaj Ferizajt, 3:1. Ajo ndeshje ishte luajtur më 24 gusht.
Në pesë duelet tjera si vendase Malisheva regjistroi katër humbje e një barazim. Të shtunën Malisheva kërkon fitoren e dytë para tifozëve të saj, në duelin kundër Trepçës ’89. Ndeshja Malisheva – Trepça ‘89 i takon xhiros së 14-të në Superligën e Kosovës në futboll dhe nis në orën 13:00.
Malisheva është e shtata në tabelë me 12 pikë. Ka një pikë më shumë se Trepça ’89 që zë pozitën e parafundit (9), por ka dy ndeshje më pak të zhvilluara.
Në dy ndeshjet e fundit, që i ka luajtur në udhëtim, Malisheva ka marrë katër pikë. Dhe pas paraqitjeve të mira trajneri Sami Sermaxhaj beson se ekipi i tij do ta mposhtë 89-shin, ndonëse atë e vlerëson kundërshtar tejet të fortë. Në duelin e parë të këtij edicioni në Mitrovicë, Malisheva e ka mposhtur Trepçën ’89 me shifrat 3:2.
“Edhe kjo ndeshje është e rëndësishme si çdo tjetër që e luajmë, qoftë në shtëpi apo udhëtim. Megjithatë, aspak nuk do të jetë e lehtë sepse përballë kemi një ekip të mirë si Trepça ’89. Ne jemi përgatitur mirë dhe besoj se pas rezultateve pozitive që i kemi marrë në udhëtim do të reagojmë këtë herë në shtëpi”, është shprehur Sermaxhaj të premten për KOHËN. “E kam parasysh se ekipi ka kohë që nuk ka fituar në shtëpi, ku edhe unë prejse jam trajner i kam humbur dy ndeshje. Mendoj se është koha që të fitojmë dhe t’i gëzojmë tifozët tanë. Synimi ynë në këtë ndeshje është që të marrim pikët e plota dhe kam besim të madh në ekipin tim”.
89-shi nuk di për fitore në katër ndeshjet e fundit. Ka barazuar dy herë në Mitrovicë dhe ka pësuar dy herë në udhëtim. Skuadra mitrovicase në këtë ndeshje do të jetë pa Lulzim Pecin, i cili është i suspenduar shkaku i kartonit të kuq që e mori xhiron e shkuar.
“Jemi plotësisht të përgatitur për ndeshjen me Malishevën. Kemi punuar mirë dhe shkojmë për fitore, pasi po tregojmë lojë të mirë, por fati nuk po është në anën tonë”, ka thënë mesfushori i Trepçës ’89, Samir Sahiti.
Të shtunën zhvillohet edhe një ndeshje tjetër e kësaj xhiroje. Skuadra e fundit në tabelë, Ferizaj, e pret Drenicën. Ferizaj, që ka tubuar vetëm tetë pikë deri më tani, nuk di për fitore në shtatë ndeshjet e fundit, ku ka pesë humbje e dy barazime. Ndërkohë Drenica ka tubuar pesë pikë në tri ndeshjet e fundit dhe renditet e pesta në tabelë me 16 pikë gjithsej.
Edhe të dielën zhvillohen dy ndeshje. Ndeshja mes Ballkanit dhe Prishtinës është shtyrë për shkak të angazhimeve të ekipit nga Suhareka në Ligën e Konferencës.
Të dielën Gjilani e pret Dukagjinin, ndërsa derbi do të luhet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, ndërmjet Llapit dhe Dritës.
Superliga – 14
E shtunë (13:00)
Ferizaj – Drenica
Malisheva – Trepça ‘89
E diel (13:00)
Llapi – Drita
Gjilani – Dukagjini
Ballkani – Prishtina (luhet më vonë)
1. Drita 13 9 3 1 26:10 30
2. Ballkani 11 8 2 1 17:7 26
3. Prishtina 12 6 3 3 16:11 21
4. Gjilani 13 5 4 4 13:15 19
5. Drenica 13 4 4 5 14:16 16
6. Llapi 12 3 4 5 14:20 13
7. Malisheva 13 3 3 7 22:22 12
8. Dukagjini 13 3 3 7 11:15 12
9. Trepça ’89 11 2 5 4 21:22 11
10. Ferizaj 13 1 5 7 10:26 8