Besa Famgas është klubi që ka përfaqësuar Kosovën më së shumti në Evropë. Nga viti 2005, skuadra pejane e hendbollit vetëm një herë ka munguar në garat kontinentale.
Të dielën Besa do ta nisë edicionin e 16-të në garat evropiane. Sezonin aktual ekipi pejan paraqitet në rundin e dytë të Kupës Evropiane (EHF European Cup). Dhe synim ka që të shkruajë histori sa i takon hendbollit kosovar. Pra të kalojë përtej rundit të tretë.
Asnjë skuadër e hendbollit nuk e ka arritur këtë. Madje as Besa me shumë përvojë tashmë.
Besa përballë do ta ketë Helsinkin e Finlandës. Ndeshja e parë është në Helsinki të dielën nga ora 15:00, kurse e dyta është më 6 nëntor nga ora 18:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Hendbollisti me përvojë i Besa Famgas, Egzon Gjuka, thotë se do të udhëtojnë të mobilizuar për në Finlandë në kërkim të një rezultati të favorshëm, në mënyrë që në ndeshjen në shtëpi ta sigurojë kalimin në rundin e tretë të Kupës Evropiane.
“Rezultatet e fundit që kemi pasur me Besën në vitet e fundit kanë bërë që rejtingu i ekipeve kosovare të rritet dhe të paraqitemi me më shumë skuadra në Evropë. Po ashtu edhe ne si skuadër sivjet marrim pjesë në rundin e dytë nga vazoja e parë si bartës. Helsikin e kemi për kundërshtar dhe kemi një muaj që kemi analizuar ndeshjet e tij. Këto janë dy ditët e fundit para udhëtimit për në Helsinki. Besoj që mjaftueshëm kemi arritur t’i shohim pikat e forta, po ashtu t’i gjejmë dobësitë e tyre ku mund t’i godasim. Besojmë se nga Finlanda do të kthehemi me një rezultat pozitiv. Jemi duke udhëtuar vetëm për fitore dhe ta ruajmë rezultatin dhe të fitojmë edhe në Pejë”, ka thënë Gjuka.
Gjuka me Besën ka marrë pjesë në garat evropiane në edicionin e 14-të. Ai tani është kapiten i skuadrës që ka kohë që dominon në hendbollin kosovar.
“Ky është edicioni i 14-të për mua dhe sezoni im i parë si kapiten i Besës. Shpresoj në këtë sezon të parë të kemi një të arritur historike. Të gjitha kushtet janë dhe na mbetet të luftojmë vetëm për Besën për të arritur suksese. Vitin e kaluar kemi pasur një sukses. Kemi kaluar në rundin e tretë. Synimi ka qenë ta kalojmë rundin e tretë, por nuk kemi arritur për vetëm një gol ta kalojmë atë rund të garave. Por, sërish kemi qenë brenda objektivave. Synim kemi ta kalojmë Helsinkin, pastaj me pak fat dhe me angazhim ta kalojmë edhe rundin e tretë dhe për herë të parë të arrijmë deri në rundin e katërt”, është shprehur Gjuka.
Helsinki vetëm njëherë ka luajtur në garat evropiane. Nuk ka lojtarë të nivelit të lartë, ndërsa Besa në radhët e saj ka edhe disa lojtarë të huaj. Te Besa janë spanjolli Victor Garcia Alonso, kroati Ivan Majiq dhe hendbollisti nga Mali i Zi, Denis Shabanoviq. Trajner është legjenda e Bosnjë-Hercegovinës, Nikola Prce, që po ashtu paraqitet si lojtar.
Besa dominon në garat e vendit. Por, ende është në kërkim të suksesit të madh në Evropë.
“Besa gjithmonë ka synim dominimin në garat e vendit dhe të shkojë sa më larg në Evropë. Kemi disa ndryshime, jemi bazuar në lojtarë të rinj, nga juniorët. Kastriot Jupa është larguar për në Gjermani, por ky grup që jemi kemi arritur të komponohemi mirë. Për këtë rund nuk besoj se do të kemi problem, ndërsa për rundin tjetër shpresojmë të kemi fat dhe të bjerë një ekip i përafërt me ne”, ka thënë Gjuka.
Gjuka është i lumtur që ka rastin të luajë për Besën në Evropë.
“Këto ndeshje si me Besën, ashtu edhe Kosovën të ndihmojnë të pjekesh si lojtar dhe të kesh përvojë më të madhe evropiane. Janë ndeshje që çdo lojtar i dëshiron. Besoj të vazhdoj me këto ndeshje evropiane me Besën dhe Kosovën, si dhe të kemi rezultate sa më të mira”, ka thënë Egzon Gjuka.