Sport

IJF: Majlinda mban rekordin botëror për medalje të arta

Majlinda Kelmendi tashmë i ka dhënë fund karrierës si xhudiste. Por, për arritjet e Majlindës në tatami do të flitet gjatë. Rezultatet e saj si xhudiste ishin të jashtëzakonshme. Një konfirmim për këtë ka ardhur sërish nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

Majlinda në vitin 2009 i arriti sukseset e para si juniore, përkatësisht titullin botëror dhe evropian. Më pas nisi me rezultatet si seniore, që në vitin 2010, ndërsa serinë e sukseseve kulmore e nisi në vitin 2013 me medaljen e bronztë evropiane. Menjëherë të njëjtin vit fitoi medaljen e parë të artë botërore. Dhe më pas sukseset e saj nuk kishin të ndalur.

“Xhudistja e mrekullueshme kosovare mban rekorde të pabesueshme në botën e xhudos”, ka shkruar IJF në librin “Judo Legends”, që është paraqitur në formë stripi.

“Ajo mban rekordin botëror ‘Guiness’ për më së shumti medalje të arta të fituara në Turin Botëror të IJF-së, prej 7 majit të vitit 2010 deri më 24 tetor të vitit 2019”, shkruan në librin që është botim i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos.

Më 7 maj të vitit 2019, Majlinda kishte fituar medaljen e artë në Grand Prix të Tunizisë. Më 24 tetor 2019 kishte fituar të artën në Grand Slamin e Abu Dabit.

Ka fituar medalje të mëdha edhe më vonë, por jo të arta.

Turi Botëror i Xhudos përmbledh garat më të mëdha të sportit që tashmë është dukshëm para sporteve tjera luftarake. Garat Grand Prix, Grand Slam, Masters, Kampionatet Botërore dhe Lojërat Olimpike janë pjesë e Turit Botëror të Xhudos. Pra, garat më të mëdha. Kurse pikët për ranglistë grumbullohen edhe në kampionate kontinentale dhe në garat “Continental Open”.

Majlinda ka të artë në Lojërat Olimpike. I ka dy të arta botërore për seniorë. Ka një të artë në Masters e shtatë në garat Grand Slam. I ka edhe plot dhjetë në garat Grand Prix. I ka edhe katër të arta nga Kampionatet Evropiane dhe katër nga garat “Continental Open”. Dhe ky bilanc i jashtëzakonshëm ia siguron rekordin botëror për medalje me shkëlqim ari në garat më të mëdha të xhudos.

Image

IJF-ja ka prezantuar Turin Botëror të Xhudos në vitin 2009.

Federata Botërore i ka bërë prezantim më të zgjeruar Majlindës në librin për legjendat e xhudos. Ka shkruar se xhudiste si Nora Gjakova e Distria Krasniqi kanë shkuar gjurmëve të Majlindës. Nora e Distria po ashtu janë kampione olimpike, që është titulli më i lartë i mundshëm në sport.

Janë dhënë informata të tjera për Majlindën në këtë libër. Është shkruar për shtatoren që u ngre në Pejë në nderim të saj, pensionimin pas lëndimeve dhe punën që tashmë e bën si trajnere në ekipin e Driton Kukës.

Majlinda është paraqitur edhe në ballinën e librit së bashku me xhudistët më të mëdhenj që kanë ekzistuar ndonjëherë. Ky libër është shpërndarë për xhudistët në Botërorin e fundit të mbajtur javë më parë në Tashkent të Uzbekistanit.

IJF-ja ka nderuar shumë herë dhe në forma të ndryshme Majlindën. Nga Federata Botërore janë shprehur vazhdimisht të lumtur që një sportiste si Majlinda e kanë në familjen e xhudos.

Rekordi i Majlindës figuron edhe në faqen e “Guinnessit”. Këtë rekord e ka barazuar në janar të vitit 2021 francezja Clarisse Agbegnenou.