Sport

Dramë në Gjakovë, Vëllaznimi shokon Trepçën në palestrën e stërmbushur

Vëllaznimi ka shënuar fitore shumë të madhe të dielën mbrëma. Në palestrën e mbushur me shikues në Gjakovë, Vëllaznimi ka mposhtur Trepçën me rezultatin 75:72. Ndeshja ishte dramatike, ndërsa atmosfera në palestër ishte e zjarrtë.

Fundi i ndeshjet ishte i veçantë. Anthony Adger shënoi treshe për rezultatin 75:72, dy sekonda para fundit. Trepça më nuk pati kohë për të realizuar aksion.

Por Burim Zekiqi ishte hero sportiv i Vëllaznimit. Ai me katër treshe rresht në tre minutat e fundit e ktheu në lojë Vëllaznimin. Zekiqi kishte kaluar në verë të Vëllaznimi, pasi nuk kishte hapësirë pikërisht te Trepça. Dhe të dielën mbrëma dëshmoi se është i vlefshëm për ekipin gjakovar.

Tifozët gjakovarë kanë festuar gjatë pas ndeshjes fitoren ndaj njërës prej skuadrave më të forta në elitë. Vëllaznimi këtë edicion është kthyer në elitë.

Në tre çerekët e parë loja ishte e barabartë. Më pas mysafirët hapën mirë çerekun e katërt dhe krijuan epërsi prej 12 pikëve, katër minuta para fundit. Por vendasit nuk u ndalën. Në skenë doli Zekiqi që kaloi Vëllaznimin në epërsi. Ken Brown i Trepçës realizoi treshe për 72:72, 22 sekonda para fundit. Amerikani i Vëllaznimit, Adger shënoi më pas trepikëshin vendimtar të ndeshjes.

Zekiqi ndeshjen e mbylli me 19 pikë e pesë kërcime. Adger po ashtu i shënoi 19 pikë, ndërsa Damonte Dodd i kishte plot 15 pikë e 15 kërcime.

Drilon Hajrizi i kishte 17 pikë e katër kërcime te Trepça. Brown realizoi 14 pikë, ndërsa i kishte edhe katër asistime. Erjon Kastrati u ndal në 14 pikë.

“Uroj kundërshtarin. Kanë shënuar nga situata të vështira. Pesë minuta para fundit kishim nëntë pikë epërsi. Më pas ata shënuan nga pozita të vështira, ndërsa edhe ne jemi përgjegjës pasi nuk kemi luajtur mirë në mbrojtje. Vëllaznimi ka pasur fat, por ne kemi përgjegjësi më të madhe. Mbetet të shihet si do të reagojmë si ekip”, ka thënë trajneri i Trepçës, Lubomir Minchev.

Trepça i ka humbur ndeshjet e tri xhirove të fundit. Është e treta në tabelë me katër fitore e tri humbje. Vëllaznimi është i pesti me tri fitore e katër humbje.

“Burim Zekiqi ka shënuar disa treshe rresht. Jemi kthyer me angazhim, me luftë. U kam thënë lojtarëve që vetëm me shpirt ekipor mund të mposhtim Trepçën që për mendimin tim është më e mira në ligë. Kur lufton dhe luan me angazhim, tifozët të duan. Jam shumë krenar që drejtoj këtë ekip”, ka thënë trajneri i Vëllaznimit, Josip Plantak.

I matur në deklartë ishte Burim Zekiqi. Ai ka treguar respekt për ekipin ku është rritur.

“Atmosfera ishte shumë e mirë. E kemi dhënë maksimumin dhe kjo ka vendosur. E kemi pritur që do të japim maksimumin secili lojtar. Na gëzon shumë kjo fitore, pasi çdo lojë është finale. Kundër Trepçës është fitore shumë e mirë”, ka thënë Zekiqi.