Nora Gjakovës i ishte shtyrë debutimi si kampione olimpike. Por rikthimi i suksesshëm në garat e xhudos e ka motivuar Norën që të kërkojë suksese të reja kulmore rrugës për në Paris.
Lojërat Olimpike “Parisi 2024” janë synimi i ardhshëm i madh i Norës, pas suksesit kulmor në Tokio, vitin e kaluar. Në Tokio, në korrik të vitit 2021, Nora Gjakova fitoi medaljen e artë olimpike, medaljen më të vlefshme të mundshme në sport. Vendosi për pushim më të gjatë pas Tokios, ndërkohë që e lëndoi krahun dhe iu nënshtrua një operimi të komplikuar. Koha e rehabilitimit zgjati më shumë dhe Nora u kthye në gara vetëm të premten. Pra, pas plot 15 muajve mungesë. Ajo për herë të parë garoi me shkronja të arta në shpinë, nder që e kanë vetëm kampionet olimpike në fuqi.
Nora u kthye në Grand Slamin në Abu Dabi dhe arriti deri në finale. Garën e rikthimit e mbylli me katër fitore dhe me medalje të argjendtë.
Në një intervistë për KOHËN, Nora ka thënë që gara në Abu Dabi më shumë ishte një test për të.
“Jam e lumtur që jam kthyer në gara. Ishte sfidë e madhe. Koha pa gara ishte e gjatë, pastaj ishte rehabilitimi nga lëndimi dhe po ashtu përgjegjësia më e madhe për shkak të titullit të kampiones olimpike. Dita e garave ka shkuar shumë mirë. Isha e fokusuar deri në përfundim të garës”, ka thënë Gjakova të shtunën, një ditë pasi garoi në kategorinë deri 57 kilogramë.
Ajo ka lëshuar garat e mëdha të këtij viti, Botërorin dhe Evropianin. Por u kthye me kohë për kualifikimet për Lojërat e ardhshme Olimpike.
“Gara në Abu Dabi, ndonëse e nivelit të lartë, për mua ishte më shumë një test. Shërbeu për ta parë formën që e kam. Pasi është tërhequr shorti e kam parë që kam mundësi të madhe për medalje, madje edhe të artë. E vlerësoj secilën luftë që kam bërë. Në fakt, më shumë e vlerësoj anën taktike. Për anën teknike të paraqitjes më duhet më shumë kohë për shkak të mungesës së garave. Mungesa prej 15 muajve megjithatë e ka ndikimin e vet”, ka shtuar Nora.
Nora tashmë ka medalje nga të gjitha garat e mundshme. Pos të artës olimpike ka medalje edhe nga Botërori e po ashtu shumë medalje nga kampionatet evropiane. Por është e motivuar maksimalisht për suksese të reja. Dhe kthimi i suksesshëm në tatami i shërben si motivim edhe më i madh.
“Pikët e para drejt Lojërave Olimpike në Paris më motivojnë edhe më shumë. Pres që puna ime të shfaqet me sukses edhe në garat e ardhshme kualifikuese”, ka theksuar xhudistja pejane.
EJU: Mirë se erdhe Nora Gjakova
Kthimit të Nora Gjakovës në garat e xhudos i është gëzuar edhe Unioni Evropian i Xhudos (EJU).
“Ka kohë që nuk e kemi parë kampionen olimpike nga Kosova dhe ishte kënaqësi të shohim debutimin e saj me shkronja të arta në shpinë. Ishte një rrugëtim i vështirë në daljen e parë të saj. Ka garuar ndaj xhudisteve që vazhduan menjëherë pas Lojërave Olimpike. Megjithatë, Nora mposhti disa prej më të mirave në kategori, duke përfshirë Eter Lipartelianin e Gjeorgjisë në gjysmëfinale. Në finale Nora nuk ia doli të gjejë rrugën drejt sulmit vendimtar”, ka shkruar EJU, ndër të tjera.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.