3 perditesime
17:27

Kthimi i fuqishëm i Norës, medalje në garën e parë pas lëndimit

Kampionia olimpike, Nora Gjakova, është kthyer fuqishëm në tatami. Nora ka munguar plot 15 muaj, ndërsa ka sanuar një lëndim të krahut ndërkohë .

Xhudistja pejane garoi të premten në Grand Slamin në Abu Dhabi, ndërsa rreshtoi katër fitore. Ditën e mbylli me medalje të argjendtë.

Nora ishte bartësja e katërt në kategorinë deri 57 kilogramë.

Në xhiron e parë e kaloi koreanen Yuna Shin. Ndaj saj fitoi në kohën shtesë. Shin pësoi tri dënime. Me holandezen Pleuni Cornelisse, Nora fitoi me mbërthim. Në çerekfinale e kaloi serben Marica Perishiq. Perishiq pësoi tri dënime dhe kështu Nora fitoi me Ippon.

Në gjysmëfinale përballë Norës ishte bartësja e parë, gjeorgjiania, Eteri Liparteliani. Ndaj saj realizoi hedhje të bukur për uazari, ndërsa më pas e kontrolloi luftën deri në fund. Kështu Nora e siguroi medaljen që në garën e pas mungesës prej 15 muajve është sukses i madh.

Në finale, përballë Norës ishte Mimi Huh, po ashtu e Koresë së Jugut. Finalja ishte e fortë kurse koreanja fitoi fare në fund me mbërthim.

Vendi i dytë megjithatë është sukses për kampionen olimpike, marrë për bazë mungesën e gjatë. Ajo së fundi kishte garuar pikërisht në Tokio, korrikun e vitit të kaluar.

Për Norën është medalja e katërt në garat e nivelit Grand Slam. Ka dy të arta.

Në Abu Dabi garojnë edhe Laura Fazliu dhe Loriana Kuka.

12:59

Kthim i fuqishëm i Norës, kualifikohet në finale

Nora Gjakova është kthyer me sukses të plotë në garat e xhudos.

Ndonëse ka munguar plot 15 muaj nga garat, Nora është kualifikuar në finale të kategorisë deri 57 kilogramë në Grand Slamin në Abu Dabi.

Në gjysmëfinale e mposhti bartësen e parë, gjeorgjianen Eteri Liparteliani.

Ndaj saj realizoi aksion të bukur për uazari dhe më pas kontrolloi luftën deri në fund.

Nora i ka katër fitore deri më tani. Ajo është kthyer në gara pasi ka operuar krahun.

12:28

Nora mposht xhudisten serbe

Nora Gjakova ka mposhtur xhudisten serbe Marica Perishiq.

Perishiq pësoi tri dënime dhe Nora fitoi me Ippon në Grand Slamin në Abu Dabi.

Nora tashmë është në gjysmëfinale të kategorisë deri 57 kg.

11:31

Nora kthehet me fitore

Nora Gjakova është kthyer me fitore në garat e xhudos.

Në Grand Slamin e Abu Dabit, Nora në raundin e parë e kaloi koreanen Yuna Shin.

Ndërkohë në raundin e dytë të kategorisë deri 57 kg e mposhti holandezen Pleuni Cornelisse.

Ndaj saj fitoi me mbërthim. Kampionia olimpike, Gjakova, nuk ka garuar që nga Lojërat e Tokios,15 muaj më parë.

Në çerekfinale përballet me serben Marica Perishiq.